AKTUALITET /

La Italinë për të investuar në Theth, flet i zhgënjyer 23 vjeçari: Kryeministri Rama nuk e mbajti fjalën! Po më shembin ëndrrat

Në një intervistë për media, 23-vjeçari rrëfeu se ka qëndruar emigrant për 6 vite në Itali dhe u rikthye në vendlindje me synimin për të ndërtuar të ardhmen e tij.

Shkruar nga Versus
La Italinë për të investuar në Theth, flet i zhgënjyer
Klodian Harusha

Klodian Harusha, pronar i një shtëpie druri dhe një lokali (bar-kafe) në Theth, pjesë e 80 objekteve të parashikuara për shembje në kuadër të aksionit të IMT-së kundër ndërtimeve pa leje, ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj kryeministrit Rama. Në një intervistë për media, 23-vjeçari rrëfeu se ka qëndruar emigrant për 6 vite në Itali dhe u rikthye në vendlindje me synimin për të ndërtuar të ardhmen e tij.

 “Unë jam Klodian Harusha, 23 vjeç, banor i Thethit. Kam qenë emigrant dhe kam luajtur si futbollist në Itali për 6 vite. U ktheva me idenë se ka të ardhme këtu por fatkeqësisht më duket se nuk ka...”, shprehet i riu.

Harusha tregon se është kthyer nga Italia pas thirrjes së kryeministrit për të rinjtë që të investojnë në tokat e paraardhësve të tyre. Ai shpjegon vështirësitë që ka hasur gjatë përpjekjeve për të marrë leje ndërtimi. Me 7 mijë euro kursime në dorë, u kthye në vendlindje për të investuar, por tani investimi i tij jo vetëm po shembet, por ai është edhe gjobitur me 58 mijë euro.

 “U ktheva me fjalën e kryeministrit sepse beri thirrje që rinjtë të investojnë në tokat e të parëve. Unë u ktheva! Jam sorollat në bashki, asnjë info për paketën e maleve. Më kanë nxjerrë jashtë duke më thënë ‘shko kërko diku tjetër’. Pasi nuk më dhanë leje, bëra vete një ndërtesë druri që çmontohet për 2 orë, por më vunë 58 mijë euro gjobë dhe më thanë do të shembet. Po kështu do të shembet dhe shtëpia prej druri, ku jetoj aktualisht”, tha Harusha.

23-vjeçari, i cili hoqi dorë nga karriera si futbollist në Itali për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të investuar në turizëm, shprehet i thellësisht i zhgënjyer. Ai thotë se aktualisht ndodhet në një situatë të rëndë financiare, i mbuluar nga 95 mijë euro borxhe.

Në një thirrje të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, Harusha kërkon që të mbahet premtimi për paketën e maleve dhe mbështetjen ndaj të rinjve që rikthehen për të jetuar e punuar në vend. Ai i bën apel qeverisë të hartojë një plan të qartë zhvillimi për zonat malore dhe të lejojë ndërtimet në tokat e trashëguara, por në përputhje me ligjin dhe kriteret urbanistike.

“Kryeministrit do i kisha thënë të vejë në zbatim fjalët që ka thënë vete. Ku është paketa e maleve? Ku është mbeshtetja për rikthimin e të rinjve? Thethjanë me toka të zanuna nuk ka! Jemi prej 5 shekujsh në tokën tonë! Duhet të nxjerrë një plan zhvillimi dhe të na japë leje për të ndërtu në tokat tona, sipas rregullave”, ka theksuar 23-vjeçari.

Poll