Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për tre inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit, mund të lirohet nga qelia para kryerjes së dënimeve përkatëse.
Koka ka depozituar një kërkesë në GJKKO për lirim të menjëhershëm dhe shuarje mase sigurie duke pretenduar se kishte kaluar afati 3 vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit. Vendimi mbi kërkesën e tij do të merret më 24 tetor.
Në korrik të këtij viti, ish-ministri ka fituar të drejtën e lirimit me kusht nga gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit për të cilin u dënua me 6 vite e 8 muaj burg.
Sipas vendimit të gjyqtarit të Durrësit, Xhevdet Lika thuhet se për pjesën e mbetur të dënimit, Koka duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra të tjera penale.
Ish-ministri është dënuar edhe për dy dosjet e tjera të inceneratorëve, Fierin që u kthye për rigjykim në Apelin e GJKKO dhe inceneratorin e Tiranës, dënimet për të cilin ende nuk kanë marrë formë të prerë.
Për inceneratorin e Fierit, Lefter Koka është dënuar me 6.8 muaj burg, ndërsa për atë të Tiranës me 2 vite burg duke përfituar në të dy rastet nga gjykimi i shkurtuar. Koka pretendon se e ka shlyer dënimin me kohën që ka qëndruar në paraburgim. Versus.al







