
Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj ofertave të dyshimta online për kredi, ku mashtrues të panjohur paraqiten si përfaqësues bankash në faqe interneti, rrjete sociale apo email-e.
Këto oferta fiktive synojnë të vjedhin të dhëna personale dhe financiare, duke i nxitur viktimat të dërgojnë para ose dokumente në faqe të pasigurta.
Policia këshillon:
Mos dërgoni kurrë të dhëna bankare apo para te persona të paidentifikuar.
Verifikoni gjithmonë kontaktet zyrtare të bankave në faqet e tyre.
Komunikoni drejtpërdrejt me degët bankare.
Denonconi menjëherë çdo dyshim në polici për të parandaluar krimin kibernetik.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informon dhe ndërgjegjëson qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.
Janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.
Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.
Policia e Shtetit këshillon qytetarët që:
Të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta.
Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin.
Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.
Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve./Versus.al

