
Është zbardhur dëshmia e parë e Ragip Gilës, 30-vjeçarit të arrestuar nga policia si autori i dyshuar i masakrës së ndodhur sot në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
Gila ka deklaruar se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso Bajroviç, vëllai i Denis Bajroviçit, me të cilin pretendon se kishte një konflikt personal.
‘Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të’, ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
‘Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të’, është shprehur Gila.
Pas ngjarjes së rëndë, gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, ai është rrëzuar nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në ato momente, efektivët i kanë bërë thirrje që të hidhte armën dhe të dorëzohej.
‘E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë’, u ka thënë ai policëve para se të vihej në pranga.
Ndërkohë, policia e ka marrë me rezervë dëshminë e Gilës dhe po heton mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë që mund ta kenë porositur për vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë./Versus.al







