Çfarë do të gjeni në brendësi
*Shkodra është tronditur sërish nga një atentat me armë zjarri mëngjesin e sotëm duke lënë të vdekur 2 persona dhe duke plagosur dy të tjerë. *Teksa ndodheshin në një lokal, autori Ragip Gila ka hyrë dhe ka qëlluar me breshëri automatiku duke lënë të vdekur Armando Palin (punonjës i IKMT) dhe Geridon Krajën (truprojën e Erogen Vasos), ndërsa është plagosur biznesmeni Erogen Vaso alias Bajroviç dhe Meri Kaceri një grua e cila punonte si kamariere. *Autori tentoi të largohej me motor, por u përplas nga një makinë tip “BMË”. Dyshimet e deritanishme janë se shënjestra mund të ketë qenë Erogen Vaso, vëllai i Denis Bajroviç i cili mbahet i arrestuar si ekzekutori i Gjin Ndojit për llogari të grupit të Bajrajve në 2020-ën. *Erogen Vaso rezulton person me precedentë të mëparshëm dhe subjekt i OFL. Emri i tij ishte përmendur edhe nga Sali Berisha si anëtar i grupit Bajri i lidhur me pushtetarë dhe drejtues të policisë. *Në dëshminë e tij të parë Ragip Gila i arrestuar nga policia si autori i dyshuar i masakrës së ndodhur sot në Shkodër ka deklaruar se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso Bajroviç, vëllai i Denis Bajroviçit. *Gila pretendon se kishte një konflikt personal me biznesmenin Erogen Vaso Bajroviç. *‘Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të’, është shprehur Gila.
Pamjet / Ja si largohet me BMW Ragip Gila pas mas*krës me 2 viktima e 2 të plagosur
Pas masakrës në qendër të qytetit, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Shkodër, shihet duke lëvizur me mjetin e marrë me forcë në lagjen “Serreq”, përpara se të braktiste makinën dhe të tentonte arratisjen në këmbë
Versus ka siguruar pamjet e momentit kur Ragip Gila, autori i dyshuar i atentatit të përgjakshëm në Shkodër, largohet me një automjet të tipit BMW, të cilin dyshohet se e kishte grabitur me forcë menjëherë pas krimit.
Në video, Gila shihet duke kaluar me nxitim mes për mes lagjes “Serreq”, ndërsa i drejtohet lagjes “Skënderbeg”, në përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja.
Automjeti që drejtonte autori rezulton i aksidentuar në pjesën e përparme, pasi ishte përplasur me një mjet tjetër gjatë tentativës për të ikur. Dëmtimet në pjesën ballore të makinës konfirmojnë përplasjen që ndodhi pak minuta pas krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se, pasi ka përshkuar rrugën deri në afërsi të lumit Kir, Ragip Gila është ndjekur nga forcat e policisë dhe ka braktisur automjetin, duke tentuar arratisjen në këmbë nëpër zonën e pyllëzuar. Gila është kapur më pas nga policia, ndërkohë që ndaj tij po zhvillohen hetimet si autor i dyshuar i një ngjarjeje që tronditi qytetin e Shkodrës.
Ragip Gila akuzohet për ekzekutimin me armë zjarri të dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve, mes tyre një banakiere dhe njëri nga objektivat e atentatit, Erogen Vaso (Brajoviç). Autori ka deklaruar në polici se kishte një konflikt personal me Erogenin dhe se ai ishte objektivi i vetëm, por ngjarja përfundoi me viktima të pafajshme.
Atentati në Shkodër u urdhërua nga 'klani' Lici? Policia gjen 4 armë në banesën e motrës së Mustafa Licit
Policia ka ndërmarrë një kontroll të befasishëm në banesën e motrës së Mustafa Licit në Shkodër, si pjesë e hetimeve për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Gjatë kontrollit, forcat e rendit kanë sekuestruar katër armë zjarri. Dyshimet e para tregojnë se autori i dyshuar i vrasjeve, Ragip Gila, mund të ketë vepruar për llogari të Lulzim Kullës, i cili është dhëndër në familjen Lici. Kulla, prej vitesh ka qenë i njohur, i përfolur dhe dyshuar, si “i forti i Shkodrës” që kontrollonte pjesën tregtare duke ushtruar presion dhe terror mbi bizneset. Më 13 janar 2018, ai i mbijetoi një atentat me tritol në një zonë të frekuentuar në Shkodër, por mbeti i plagosur
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, përfshirë edhe Barush Bregun, 33-vjeçarin e konsideruar e dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në këtë qytet të drejtuar nga Ibrahim Lici.
Në deklaratën e tij të parë para hetuesve, Ragip Gila ka deklaruar se shënjestra e tij ka qenë vetëm Erogen Vaso (i njohur edhe si Erogen Brajoviç), vëllai i Denis Brajoviç, për shkak të një konflikti personal.
“Erogen Vaso më ka kërcënuar dhe kemi patur përplasje. Më ka dërguar fjalë dhe është sjellë si i fortë. E kam pasur personale vetëm me të dhe synimi im ishte ta qëlloja vetëm atë,” është shprehur Gila gjatë marrjes në pyetje.
Si pasojë e të shtënave që ndodhën këtë mëngjes, humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Të plagosur mbetën Erogen Vaso (Brajoviç), i cili dyshohet se ishte objektivi kryesor i atentatit, dhe Meri Kaceri, banakierja e lokalit ku ndodhi ngjarja.
Mas*kra në Shkodër, zbardhet dëshmia e Ragip Gilës: Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso! Më bënte si i fortë!

Është zbardhur dëshmia e parë e Ragip Gilës, 30-vjeçarit të arrestuar nga policia si autori i dyshuar i masakrës së ndodhur sot në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
Gila ka deklaruar se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso Bajroviç, vëllai i Denis Bajroviçit, me të cilin pretendon se kishte një konflikt personal.
‘Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të’, ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
‘Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të’, është shprehur Gila.
Pas ngjarjes së rëndë, gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, ai është rrëzuar nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar këmbën. Në ato momente, efektivët i kanë bërë thirrje që të hidhte armën dhe të dorëzohej.
‘E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë’, u ka thënë ai policëve para se të vihej në pranga.
Ndërkohë, policia e ka marrë me rezervë dëshminë e Gilës dhe po heton mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë që mund ta kenë porositur për vrasjen e 43-vjeçarit Erogen Vaso, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë./Versus.al
Me tre akuza që parashikonin deri 15 vite burg, si gjyqtari Albert Karaj liroi nga burgu autorin e dyshuar të mas*krës në Shkodër

Ragip Gila, 28 vjeçari i arrestuar si autori i vrasjes së dy personave dhe plagosjes së dy të tjerëve mëngjesin e sotëm në një lokal në qendër të Shkodrës, mësohet se ka vepruar i vetëm në krimin e rëndë pa bashkëpunëtorë të tjerë.
Informacionet e siguruara nga Versus.al bëjnë me dije se autori kishte 5 muaj që ishte liruar nga burgu pasi kishte kryer dënimit për armëmbajtje pa leje. Prej 6 dhjetorit 2023 mbahej në burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Në banesën ku jetonte iu gjetën sende që ka dyshime se përdoreshin për qëllime kriminale, përfshirë 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Vendimi i lirimit të tij mban datën 04.03.2025, kur është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, por Gjykata e Shkodrës e ka pezulluar vendimin duke e dërguar për një afat 5 vjeçar me kusht të mos kryejë më vepra penale. Ai u dënua me 5 vite por përfitoi zbritjen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar vetëm për lëndë narkotike. Ende nuk dihet përse në vendimin e dënimit të tij nuk janë përllogaritur edhe veprat e tjera penale.

Kamerat e sigurisë, tregojnë momentin kur Gila hyn i vetëm në lokal dhe ndjek personat ndaj të cilëve kishte hapur zjarr me kallashnikov. Më pas ka dalë jashtë lokali nga një derë e dytë për të tentuar më pas të largohej nëpërmjet kërcënimit të njërit prej shoferëve që po qarkullonte me makinë.
Pasi i vuri armën në kokë shoferit, Gila arriti të merrte mjetin, por vetëm pak metra më tutje u përfshi në aksident dhe zgjodhi të arratisej në këmbë. Për 300 metra ka vrapuar me armë në dorë deri në momentin kur u arrestua nga policia. Versus.al
Benet Beci reagon pas ngjarjes kriminale në Shkodër: Qyteti nuk meriton të përballet me skena të tilla!

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë kriminale që tronditi qytetin mëngjesin e sotëm.
Përmes një statusi në rrjete sociale, Beci shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën dhe theksoi nevojën për ndëshkim të ashpër të autorëve.
“Të dashur qytetarë, ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit”, shkroi Beci.
Ai bëri të ditur se ka kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me strukturat ligjzbatuese për të kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e ngjarjes dhe garantimin e sigurisë.
“Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla”, u shpreh Beci.
Deputeti theksoi se Shkodra duhet të jetë një qytet i qetësisë dhe i vlerave, dhe se autoritetet kanë përgjegjësinë të veprojnë me vendosmëri për të rikthyer sigurinë.
Statusi i plotë i Benet Becit:
Të dashur qytetarë,
Ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit.
Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla.
Foto të publikuara nga Benet Beci:
Çfarë po ndodh në Shkodër? Kryeqendra e veriut në 'arenë vrasjesh', 4 viktima e 2 të plagosur brenda 10 ditëve

Situata kriminale në qytetin e Shkodrës është në ditët e saj më të zeza. Plot 4 persona janë vrarë me armë zjarri brenda 10 ditëve të fundit, ndërsa 2 të tjerë janë plagosur.
Më 28 gusht, Ndoc Maçaj kryeplaku i fshatit Abat vrau me armë zjarri Piro Prronin për shkak të një parcele në pronësi të autorit ku ishin kultivuar 80 rrënjë kanabisi. Maçaj pretendoi se viktima, kushëriri i tij e kishte kërcënuar me drapër duke i thënë se do ta vriste dhe për rrjedhojë ky i fundit e kishte qëlluar me armë zjarri.
Më 4 shtator rreth orës 22:00 të mbrëmjes, në qendër të qytetit të Shkodrës, në një lokal të lagjes “Vasil Shanto” u ekzekutua me armë zjarri 34 vjeçari Kristian Kola teksa pinte kafe. I riu nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa punonte me të atin në një firmë ndërtimi. Autorët, ishin dy persona me motor të cilët u zhdukën në një rrugicë dhe edhe sot kur kanë kaluar 4 ditë nga vrasja, policia nuk ka asnjë gjurmë rreth tyre apo rreth motivit që kishte sjellë ekzekutimin e rëndë.
Sot, më 8 shtator në nisjen e vitit të ri shkollor pikërisht në një lokal pranë bashkisë Shkodër dhe pranë shkollës “Kolë Idromeno” pati të shtëna armësh me breshëri të cilat shkaktuan 2 viktima (Armand Pali dhe Liridon Kraja) dhe dy të plagosur (Erogen Vaso alias Bajroviç dhe Meri Kaceri). Autori Ragip Gila, me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, u arrestua nga policia pak momente pas krimit. Ndërsa të shtënat në mes të lokalit tronditën qytetarët e kryeqendrës së veriut të cilët tashmë ndihen të pasigurt nga vrasjet dhe ngjarjet e shumta kriminale që kanë përfshirë qytetin. Versus.al
Shënjestra e atentatit me 2 të vr*rë në Shkodër, Bajroviç emër i njohur, FOTO-t me Veliajn, deputetin dhe shefat e komisariateve

Erogen Vaso alias Bajroviç, biznesmeni i cili mbeti i plagosur në një atentat me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër rezulton të jetë emër i njohur si për policinë ashtu edhe për mediat vendase e të huaja.
Në 2018-ën, e përditshmja malazeze “Vijesti” shkroi një artikull për grupin kriminal të Kotorrit i cili sipas tyre drejtohej nga Ranko Raduloviç. Mes të tjerash, shkruhet se Erogen Vaso alias Bajroviç i cili u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s, dyshohet se është pjesë e grupit kriminal që tentoi të vriste dy ish-oficerë të policisë në Mal të Zi.
Asokohe në 2018-ën Erogen Brajoviç, i njohur si ish-futbollist i Vllaznisë dhe i angazhuar në politikë si këshilltar bashkiak me PBDNJ, u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 30 ditë.
Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi foto në rrjetet sociale në 2017-ën ku Erogen Vaso Bajroviç shfaqej krah kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Foto të tjera qarkulluan më pas ku Berisha shkruante se Bajroviç shfaqej duke drekuar me deputetin e PS në Shkodër Luan Harusha dhe në një tjetër foto me shefat e komisariatit të Shkodrës. Vaso rezulton të jetë vëllai i Denis Bajroviç të arrestuarit për ekzekutimin e Gjin Ndojit në 2020-ën.
Ende nuk dihen rrethanat e atentatit të sotëm të ndodhur në Shkodër, por kryeqendra e veriut është tronditur rëndë pasi ka regjistruar 4 vrasje për 10 ditët e fundit. Versus.al
U përplas nga makina teksa tentoi të largohej, kush është autori i atentatit të sotëm në Shkodër (FOTO)
Policia e Shkodrës ka arrestuar e shtetasit Ragip Gila, rreth 28 vjeç, si autori i dyshuar i atentatit të rëndë me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të shkollës “Kole Idromeno”. Nga sulmi me breshëri kallashnikovi humbi jetën Armando Pali, ndërsa mbeti i plagosur Erogen Vaso dhe dy persona të tjerë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Rakip Gila është ndaluar pas një operacioni të shpejtë policor dhe aktualisht ndodhet në ambientet e komisariatit, ku po merret në pyetje lidhur me motivet dhe rrethanat e ngjarjes. Sipas informacioneve të siguruara, Gila ka tentuar të largohet nga vendngjarja, por u përplas nga një makinë. I riu nga Fushë Kuqja e Laçit rezulton me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje. Versus.al
Mbeti i plagosur nga atentati në Shkodër, Bajroviç vëllai i ekzekutorit të Gjin Ndojit me urdhër të Bajrajve (Përgjimet)

Erogen Vaso alias Brajoviç dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e sotëm në një lokal pranë bashkisë Shkodër, ku u vra një person ndërsa vetë biznesmeni mbeti i plagosur së bashku me dy të tjerë. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar.
Ndërsa rezulton se Erogen Vaso i cili mbeti i plagosur, është vëllai i Denis Brajoviç, të arrestuarit nën akuzën e ekzekutimit të Gjin Ndojit më 9 gusht të vitit 2020 për llogari të grupit kriminal Bajri.
Më vonë bisedat e zbardhura në SkyEcc zbuluan se vrasja e Gjin Ndojit ishte porositur nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj i cili në këmbim u kishte premtuar Bajrajve eleminimin e një prej kundërshtarëve të tyre.
Pjesë nga përgjimet
Në orën 02.43 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan, "Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se me tha diçka
Në orën 02.45 shtetasi Ervis Martinaj duke përdorur NP8LS4 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan, a dha gje tv?
Në orën 02.54 deri në orën 03.11 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e CSFFC8 i identifikuar si Klodor Haka (ne kete bisedë janë te përftuara vetëm bisedat e shkruara nga Klodor Haka). Klodor Haka shkruan ...ca po ban.......ah ku kena ken.......hiq tu fjet.......po nihena nesër......natën, të rujt zoti....
Në orën 02.57 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan në lidhje me telefonat e viktimës, "Po vlla Sky. Jo sia gjetëm. Atë tjetrin ja thyme edhe e tretëm. Fshihen vila. E fshiva krejt prej këtu. Jo, se mendum se e ka në çantë, e paska pas në xhep. Nuk e hap kush. S’ka ken me ken. Makina u dieg, teshat i djegëm. Se pyta mo vila, vec i thash ca bane". Në orën 03.03 shtetasi Ervis Martinaj duke përdorur NP8LS4 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan,...cil targa, se di për fjalë vëlla, jan djeg krejt. O vlla a djeg makina, se sme tha kush gja, është bo zhari makina. Si kena pa hic, te fala të bën "kapedani". Jo jo, kismet nesër, po ja fusim gjumë, rrim nesër.
Në orën 03.13 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan dhe e pyet "nëse ka dhënë gjë televizori, gjithashtu i kërkon që "të kishim dalë në plazh se jemi këtu në zonë, jemi përballe ketij që na morri. Mire shife vete po s’jena mirë këtu, po tu beshim bashke dhe te kishim edhe cel Mendoje vete, po vec se jena afer makinës".
Në orën 03.45 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan "Visi më shkruajti, a po vini ktej ose vi tju marrë unë, se i thash te fala ke nga ti. That vij tju marr dhe rrim ka shpia. I thash, jo jo neser me kismet. Po i them po ja fus gjumit dhe dëgjohena nesër".
Në orën 09.11 shtetasi Edmond Preka duke përdorur G8KC24 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan dhe i kërkon që të marrë telefonat dhe ti sjelle tek plazhi, vetëm telefonat që kena aty, se na marrin njerëzit dhe përse mos me ju përgjigj Në orën 09.29 shtetasi Edmond Preka duke përdorur G8KC24 komunikon me përdoruesin e B045ZY i identifikuar si Denis Brajoviq. Denisi i shkruan dhe i kërkon që të çoj dikë që të marrë telefonat që kena aty, fute edhe të "Samos" në çantë.
Në orën 11.47 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin e C5FFC8 i identifikuar si Klodor Haka. Klodori i shkruan që, jam duke ardh me "V" andej se don me ardh te ti, direkt tani po nisem. Versus.al
Tronditet sërish Shkodra, të shtëna me armë në lokalin pranë bashkisë! 2 viktima dhe 2 të plagosur (EMRAT)
Shkodër- Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën mëngjesin e sotëm kur një person ka hapur zjarr me breshëri kallashnikovi drejt një lokali që ndodhet pranë bashkisë dhe pranë shkollës “Kolë Idromeno”.
Për pasojë kanë mbetur të vrarë mbetur Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa janë plagosur biznesmeni Erogen Vaso alias Bajroviç dhe kamarierja 25 vjeçare Meri Kaceri. Armando Pali rezulton të ketë qenë punonjës i IKMT, Liridon Kraja ishte truproja i Erogen Vasos i cili njihet si anëtar i grupit të Bajrajve dhe vëllai i Denis Bajroviç, të ekstraduarit për vrasjen e Gjin Ndojit në 2020-ën.



Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rastit. Të shtënat me armë vijnë pak ditë pasi po në një lokal pranë qendrës së qytetit u vra i riu Kristian Kola, ngjarje për të cilën ende nuk janë identifikuar autorët. Versus.al







