Çfarë do të gjeni në brendësi
Ka nisur sot zbatimi i Amnistisë Penale për mbi 1300 të burgosur. Ligji, i cili u miratua më 18 qershor dhe u dekretua më 30 qershor nga presidenti Bajram Begaj, tashmë ka hyrë në fuqi. Prej tij përfitojnë edhe gra e të mitur. Ndër personat që fitojnë lirinë është Rozeta Dobi, e njohur si pastruesja e akuzuar për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesën e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi. Në listën e përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike dhe ish-zyrtarja e AKSHI-t Erisa Fero, e arrestuar në dhjetor 2022 pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.
U dënua për vr*sjen e motrës në 2023, lirohet nga burgu 43-vjeçarja Marsela Pushani

Marsela Pushani, 43 vjeçe, është liruar këtë të mërkurë nga burgu, pasi ka përfituar nga Amnistia Penale. Ajo ishte duke vuajtur dënimin për vrasjen e motrës së saj, Armanda Pushani, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2023 në kryeqytet.
Krimi ndodhi më 2 shtator 2023 në banesën e familjes Pushani, në zonën mes Rrugës së Kavajës dhe Myslym Shyrit, ku dy motrat jetonin së bashku me nënën e tyre.
Sipas dosjes hetimore, konflikti mes dy motrave degradoi në përdorimin e një thike, me të cilën Marsela Pushani goditi motrën e saj 37-vjeçare, duke i shkaktuar plagë fatale.
Pas ngjarjes, nëna e tyre deklaroi para hetuesve se viktima ishte kthyer në banesë në gjendje të dehur dhe kishte kërcënuar familjarët me thikë. Sipas saj, gjatë përplasjes fizike, Marsela i mori thikën motrës dhe e goditi, duke pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Pas përfitimit nga Amnistia Penale, 43-vjeçarja ka lënë ambientet e burgut, ndërsa ngjarja mbetet një nga rastet më të rënda të krimit brenda familjes të regjistruara në Tiranë./Versus.al
“Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin“/ U lirua nga burgu i Fierit, ish-I burgosuri paralajmëron se mund të kthehet prapë

Një i burgosur i cili ka përfituar lirimin nga burgu i Fierit, ka çuditur me deklaratën e tij, ku ka paralajmëruar se mund të kthehet prapë në burg.
Sipas tij kjo mund të ndodhë pasi në Shqipëri nuk jetohet pa shkelur ligjin. Ish i burgosuri tha se ka vuajtur tre vite burg dhe përfitoi dy muaj falje.
“Vuajta 3 vjet, për shkelje të ligjit. Përfitova 2 muaj. Sot do të iki në Tepelenë. Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin. Nuk di me çfarë do ta mbaj familjen. Bën vaki të kthehem prapë, ku ta dish”, tha ai në një prononcim për mediat./Versus.al
“Jam kërcënuar me jetë!”, i burgosuri fitoi lirinë nga Amnistia, paralajmëron betejë gjyqësore me oficerin e OPGJ-së

Besmir Gjezari ka lënë qelitë e burgut këtë të mërkurë, pasi është përfshirë në përfituesit e Amnistisë Penale. Pas lirimit, ai ka reaguar duke kundërshtuar dënimin e marrë dhe duke deklaruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar drejtësi.
Gjezari pretendon se është dënuar padrejtësisht me 5 vite burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa ka vuajtur 2 vite e 7 muaj dënim.
“Nuk jam kapur me lëndë narkotike dhe dënimi ndaj meje ka qenë i padrejtë. Tani do të nis procedurat ligjore për të kërkuar të drejtën time”, deklaroi ai pas daljes nga burgu.
Ai tha se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka qenë i shkëputur nga familja e tij, duke pretenduar se për më shumë se dy vite nuk ka mundur të takohet me të afërmit dhe veçanërisht me fëmijën e tij të mitur.
“Kam një fëmijë 3 vjeç, të cilin e lashë kur ishte vetëm një vjeç dhe nuk kam pasur mundësi ta shoh”, u shpreh Gjezari.
Përveç pretendimeve për padrejtësi në procesin gjyqësor, ai deklaroi se është përballur edhe me kërcënime ndaj tij dhe familjes.
“Jam i kërcënuar dhe ndihem i rrezikuar. Kërcënimet kanë qenë edhe ndaj familjes time”, tha ai.
Gjezari ka bërë të ditur se pas lirimit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të kundërshtuar vendimin dhe për të kërkuar një tjetër trajtim të çështjes së tij./Versus.al
VIDEO/ “Rama ik, jep dorëheqjen”, e burgosura në burgun e Pojskës proteston nga qelia

Në ditën kur disa të burgosura kanë fituar lirinë nga amnistia penale, një e burgosur në burgun e grave të Pojskës ka hedhur parulla kundër qeverisë, njësoj si protestat e qytetarëve para Kryeministrisë.
E burgosura është shfaqur pranë dritares dhe ka thirrur ‘Rama ik. Rama jep dorëheqjen”./Versus.al
Lirohet pastruesja që vodhi 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së PS-së

Rozeta Dobi, e njohur publikisht si “pastruesja” e përfshirë në një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të vitit 2023, ka lënë sot burgun e grave në Pojskë, pasi ka përfituar nga Amnistia Penale.
Dobi u arrestua në janar të vitit 2023, pas hetimeve për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë në banesën e ish-zyrtares së lartë të shtetit, Alda Klosi, ku ajo punonte prej rreth pesë vitesh si pastruese.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga policia dhe prokuroria, në banesën e Rozeta Dobit u gjetën dhe u sekuestruan rreth 404 mijë euro, 8 500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri, të fshehura në tubin e aspirimit. Gjithashtu, gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe shuma të tjera parash, si dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me të ardhura të përfituara nga vjedhja.
Çështja e saj mori një jehonë të madhe publike për shkak të shumave të konsiderueshme të parave të zbuluara dhe hetimeve të mëtejshme për origjinën e tyre.
Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë, duke u bërë një nga përfituese e Amnistisë Penale që hyri në fuqi së fundmi.
Nga amnistia përfiton gjithashtu edhe Erisa Fero, ish-punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e arrestuar në dhjetor 2022 pasi u kap me 58 kilogramë kanabis.
Po ashtu lirohet nga burgu edhe Florian Përvathi, i mituri që vrau për gjakmarrje Lek Lekgjonajn, më 24 janar 2022.
Në listën e përfituesve është edhe Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit Rrahman Rraja, i cili u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike./Versus.al

