Live Updates /

Asnjë protestues, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! PD bojkoton, partitë e reja ndezin debate

*Seanca plenare e Kuvendit sot nisi nën masat e rrepta të marra nga policia për kordonin e sigurisë jashtë godinës së Parlamentit. Forca të shumta policie rrethuan godinën edhe pse nuk ishte njoftuar ndonjë protestë, ndërsa deputetët socialistë u futën nga hyrja anësore e Kuvendit. *PD zgjodhi të bojkotonte seancën, ndërsa debatet u përqendruan mes kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Ballës dhe deputetëve të partive të reja, Erald Kapri e Redi Muçi të cilët ngritën sërish çështjen e protestave dhe dhunës që qeveria kishte ushtruar ndaj protestuesve para Kuvendit.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Seanca plenare e Kuvendit sot nisi nën masat e rrepta të marra nga policia për kordonin e sigurisë jashtë godinës së Parlamentit. Forca të shumta policie rrethuan godinën edhe pse nuk ishte njoftuar ndonjë protestë, ndërsa deputetët socialistë u futën nga hyrja anësore e Kuvendit. *PD zgjodhi të bojkotonte seancën, ndërsa debatet u përqendruan mes kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Ballës dhe deputetëve të partive të reja, Erald Kapri e Redi Muçi të cilët ngritën sërish çështjen e protestave dhe dhunës që qeveria kishte ushtruar ndaj protestuesve para Kuvendit.

4 Postime
4 ORE ME PARE

Në fillim tha se u nxit nga grekët e serbët, Balla: Protesta ishte e bukur, por tani kanë mbetur sorrat

Asnjë protestues, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! PD bojkoton,

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla mori fjalën në Kuvend dhe iu drejtua deputetëve të partive të reja, Erald Kapri dhe Redi Muçi lidhur me protestën masive të qytetarëve që vijojnë të jenë në shesh prej 43 ditësh.

Balla i tha Muçit se e vetmja shumicë që mund të flasë në emër të popullit është PS.

“Nuk ke të drejtë as politike as morale të flasësh në emër të popullit sepse në emër të popullit ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë. Ndërkohë që ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht në këtë sallë për shkak se ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër. Pra ti ke ardhur “hajdutçe””- u shpreh ai.

Ndërsa për protestën që e kishte quajtur si të nxitur nga Irani dhe grekët, Balla ndryshoi mendje dhe tha se nisi bukur, por shtoi se me futjen e partive politike, tanimë në shesh nuk janë “flamingot”.

“Unë nuk tallem me protestën, kur nisi ishte diçka e bukur. Nisi në emër të disa kërkesave për mjedisin. Nuk e di sesa mirë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo. Tregon sesi kur hyri Saliu, hyri Gonja, hyri Qori apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, edhe si puna e këtij tjetrit, edhe si puna e Gones”- u shpreh Balla më tej ndërsa në fillimet e protestës pretendonte se po nxitej nga grupe greke, serbe e vende të tjera armiqësore. Versus.al

4 ORE ME PARE

"Balla luan bixhoz në mes të Brukselit", Kapri: E rëndë që policia heton 'review negative' tek klientët e Ramës

Asnjë protestues, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! PD bojkoton,

Kuvendi nisi seancën plenare sot në orën 10:00, ndërsa Partia Demokratike edhe këtë herë zgjodhi të bojkotonte. Fjalën e mori deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri i cili kritikoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për faktin se kërkesat e tyre për interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari nuk ishin pranuar.

Kapri tha se përveç pyetjeve për Rrjollin e Zvërnecin, ai kishte në plan të pyeste ministrin për faktin se kompanive të sigurimit privat të cilave iu hoqën licencat pas ngjarjes në Zvërnec, thjesht kishin ndryshuar emrin dhe kishin vijuar me operimin.

“Ajo që donim të thonim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm i cili e kalon kohën duke sulmuar individë të nderuar që flasin për protestën dhe nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat e ligjit. Teksa po vija këtu në parlament kishte rrethuar gjithë Kuvendin me blinda ndërsa nuk kishte asnjë protestues aty. Pse? Se u trembët nga veza ju. Si mundet që mos ta pyesnim për këtë gjë ne ministrin? Po edhe për Zvërnecin patjetër, sepse kur ndodhi dhuna në Zvërnec ju hoq licenca atyre kompanive që morën zvarrë qytetarët, ka raportime serioze që të njëjtat kompani thjesht kanë ndryshuar emrin. Për këtë donim t’ju pyesnim juve zoti ministër. Dhe për Rrjollin ku janë rrahur banorët për muaj me radhë dhe u tërhiqnin zvarrë nga policia”- tha Kapri mes të tjerash.

Teksa dënoi dhunën e policisë ndaj protestuesve, Kapri ironizoi edhe deputetin Taulant Balla i cili pak ditë më parë u shfaq në Bruksel duke luajtur me letra bixhozi.

“Sjellja e policisë së shtetit në raport me protestuesit është e patolerueshme. Teksa kryeministri ka lëshuar gojën duke i quajtur shqiptarët nazistë, policia juaj po vepron si gestapo. Nëse veza është akt dhune, ju qofshi! Është akt civil dhe ata që janë goditur me vezë, turpi për ta. Le të bëjnë xhiro në gjithë Tiranën dhe të shikojnë portretet e tyre që janë ngjitur në koshat e plehrave. Sidomos për ju zoti Balla, janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd. Shëtit në Tiranë se mund ta shikosh, mund të gjesh qetësi vetëm në Bruksel ku shkon e luan bixhoz në mes të Brukselit”- nënvizoi deputeti.

Ndërsa tha se nuk mund të quhet “europiane” policia që heton shqiptarët që lënë komente negative në faqet e bizneseve të disa biznesmenëve që kanë dalë kundër protestuesve.

“Kalojmë prapë tek policia, tërheqin zvarrë, gazi lotsjellës, dhuna me shkelma, goditja nëpër komisariate. Kësaj i thoni ju polici europiane? Ç’është më e rënda është se ka nisur hetimi për 10 mijë shqiptarë që flasin lirshëm në internet dhe u fusin nga një “revieë negative” klientëve të Ramës”- shtoi deputeti mes të tjerash. Versus.al

5 ORE ME PARE

S’është njoftuar protestë, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! Socialistët futen nga hyrja anësore

Asnjë protestues, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! PD bojkoton,

Pak para nisjes së seancës së sotme plenare, ndryshe nga zakonisht Godina e Kuvendit është rrethuar me gardh metalik. Deputetët e Partisë Socialiste janë futur në Kuvend nga hyrja anësore në krahun e Akademisë së Shkencave.

Gardhet mund të jenë vendosur si masë parandaluese për mbrojtjen e deputetëve në rast të ndonjë proteste, duke patur parasysh protestën e fundit ku pati përplasje të ashpra mes protestuesve e policisë.

Ndërsa për sot, qytetarët nuk kanë njoftuar mbajtjen e ndonjë proteste para Kuvendit. Versus.al

6 ORE ME PARE

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, zbardhet rendi i ditës

Asnjë protestues, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! PD bojkoton,

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare ku pritet të shqyrtohen një sërë projektrezolutash të cilat vlerësojnë veprimtarinë e institucioneve kryesore të vendit për vitin 2025.

Deputetët do të diskutojnë dhe votojnë lidhur me projektezolutat e: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU), të gjitha për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2025.

Në përfundim të rendit të ditës, pritet të ketë edhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, ndërsa ende nuk dihet nëse PD do të marrë pjesë duke patur parasysh që demokratët nuk ishin në seancën e kaluar ku pati tensione të larta mes policisë, protestuesve dhe deputetëve socialistë ndaj të cilëve u hodhën vezë. Versus.al

Poll