Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të rinj nga Kamza, të ndaluar mbrëmjen e së premtes ndërsa lëviznin të armatosur me një automjet luksoz në qytetin bregdetar.
Me kërkesë të prokurores Hava Memko, gjyqtari Fatmir Ndreu vendosi të lërë në burg Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç), të ndaluar nga forcat “Shqiponja” në rrugën “Butrinti”, në Sarandë, teksa udhëtonin me një Porsche Panamera.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë ndërhyrjes së policisë, Endrit Doku tentoi t’i shpëtonte kontrollit duke u hedhur në det me një çantë në krah. Ai u kap nga një skaf i policisë kufitare, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi të detit armën e zjarrit që ndodhej në çantë – një pistoletë e mbajtur pa leje.
Prokuroria e akuzon Dokun për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”. Dy shokët e tij, Ervis Cukali dhe Imer Gega, akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Veçanërisht, Ervis Cukali rezultoi person në kërkim prej më shumë se dy vitesh për një dosje të rëndë kriminale që lidhet me sigurimin e kushteve për vrasje dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, për një rast në Fier ku u sekuestruan 21 kilogramë tritol. Ai njihet gjithashtu si një “ushtar” i grupit të Admir Tafilit, një emër i njohur i botës së krimit, i dënuar me burgim të përjetshëm. /Versus.al







