AKTUALITET /

“Më shumë qëndroj në SPAK sesa me familjen”, Xholi: Koha për hetime të shpejta e sekuestrime pasurie

Xholi nënvizoi eksperiencën e tij 27 vjeçare në sistemin e drejtësisë.

Shkruar nga Versus
“Më shumë qëndroj në SPAK sesa me familjen”,
Adnan Xholi

Adnan Xholi ishte kandidati i parë që foli para KLP për platformën e tij nëse do të zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme për një mandat 3 vjeçar. Ai lavdëroi punën e kolegëve të tij, ndërsa theksoi se më shumë kohë kalon me ta sesa me familjen e tij biologjike. Sipas tij, duhet që të vijohet me hetimet e shpejta dhe cilësore që të përmbajnë sekuestrimin e pasurive të aseteve të krimit.

“Falë angazhimit personal kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit. Jam krenar që punoj me ta. Do I mbështes në çdo situatë të aktivitetit pavarësisht votimit të sotëm, punën e kemi me njëri tjetrin dhe ata janë familja ime në sistemin e drejtësisë. Më tepër qëndroj me ta sesa me familjen time biologjike. Krahas sukseseve të arritura, ka ardhur koha të vijohet me hetime të mëtejshme cilësore dhe të shpejta për të goditur kriminalitetin si me hetime penale ashtu edhe me ato pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë”- u shpreh Xholi.

Më tej ai tha se roli i tij nëse do të zgjidhet në krye të SPAK do të jetë sigurimi i rezultateve të suksesshme dhe goditja e pandëshkueshmërisë.

“Falë reformës në sistemin e drejtësisë tashmë prokuroria është organ i decentralizuar, prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është menaxher i cili si i parë mes të barabarteve ka detyrim ligjor e moral të sigurojë kushtet e punës dhe kapacitetet infrastrukturës për të goditur pandëshkueshmërinë. Roli i drejtuesit ka në fokus rezultatet sa më të sukseshme me qëllim rritjen e besimit të publikut.  Për shkak se kriminaliteti ka një strukturë fleksibël duhet vëmendje e madhe, trupa e prokurorëve të SPAK duhet të bëjë gjithçka që të përmbushë pritshmëritë e publikut me rezultate konkrete e të shpejta me prova të pakundërshtueshme në gjykatë”- u shpreh Xholi. Versus.al

Poll