AKTUALITET /

Miliona $ të humbura në 'investime fantazmë'! TXEX, piramida e padukshme që po 'gllabëron' kursimet e shqiptarëve!

E paraqitur si “shkëmbim kriptomonedhash”, kjo platformë është në të vërtetë një strukturë piramidale online, që operon përmes grupeve të koduara në Signal, Telegram dhe whatsApp.

Shkruar nga Versus

Miliona $ të humbura në 'investime fantazmë'! TXEX,

Në Shqipëri po lulëzon një tjetër skemë mashtruese edhe më e sofistikuar: TXEX.

E paraqitur si “shkëmbim kriptomonedhash”, kjo platformë është në të vërtetë një strukturë piramidale online, që operon përmes grupeve të koduara në Signal, Telegram dhe whatsApp.

TXEX nuk ekziston në QKB, nuk ka licencë nga Banka e Shqipërisë dhe nuk është e autorizuar nga AMF.

Megjithatë, funksionon çdo ditë, duke shpërndarë qindra mesazhe te qytetarët shqiptarë. Viktimat kontaktohen nga “mentorë financiarë”, ose “ekspertë tregu”, të gjithë anonimë, të cilët premtojnë fitime marramendëse.

Si funksionon mashtrimi

Skema është ndërtuar me disa faza:

Joshja: viktima ftohet përmes profileve fallco në Instagram, TikTok ose ëhatsApp.

Krijimi i besimit: në grupe të simuluara Telegram-i, botë dhe profile false diskutojnë për fitime imagjinare. “Mentori” krijon një lidhje personale me viktimën, për ta bindur.

Investimi i parë: qytetari blen kriptovalutë në një platformë të rregullt (Binance, Kraken) dhe e transferon në “llogarinë tregtare TXEX”, ku fitimet simulohet sikur rriten çdo ditë.

Rikonfirmimi: viktima inkurajohet të investojë më shumë dhe të ftojë miq, duke u premtuar makina, bonuse dhe “leaderboards” false.

Zhvatja: kur tenton të tërheqë fondet, i kërkohen tarifa fiktive, taksa e komisione. Në fund, kontakti ndërpritet dhe platforma zhduket.

Autoriteti i Tregjeve Financiare të Zelandës së Re (FMA), më 17 prill 2025, ka paralajmëruar publikisht se TXEX është mashtrim dhe e ka lidhur drejtpërdrejt me një platformë paraardhëse, “2139 Exchange”, e cila ka mashtruar me dhjetëra milionë dollarë në Azi dhe Afrikë.

Hetimet tregojnë se të dyja përdorin të njëjtën infrastrukturë teknike dhe operatorë të vendosur kryesisht në Ballkan dhe Azinë Juglindore.

Shqipëria, fushë e hapur për mashtruesit

Ndërsa jashtë vendit kjo skemë po goditet, në Shqipëri reagimi institucional mungon plotësisht.

Asnjë veprim i dukshëm nga SPAK, Njësia e Krimit Ekonomik, apo autoritetet financiare. Kjo, pavarësisht faktit se mijëra qytetarë kanë humbur kursimet e tyre, disa madje duke marrë borxhe, të joshur nga propaganda manipuluese që përdor deepfake dhe identitete të vjedhura.

Në denoncimet e mbërrituar në redaksinë e JOQ-së thuhet se qendra e këtij mashtrimi ndodhet në Lezhë dhe pas saj qëndrojnë dy vëllezër, të identifikuar si Pjetër dhe Fred Kola. 

Dhe deputeti i PS-së Erion Braçe ka ngritur alarmin për përhapjen e TXEX në zonën e Divjakës dhe Lushnjes.

Në një postim të tij ai shkruan se në Divjakë përmasat janë dramatike me mbi 1000 persona të përfshirë në këtë skemë piramidale. Braçe u bën thirrje qyetarëve që të dalin sa më shpejt nga kjo piramidë dhe që t'i dorëzojnë telefonat tek policia që hetuesit të gjurmojnë rrjedhjen e parave. 

Postimi i Erion Braçes:

Piramidat e reja nuk janë më zyra me letra, por online, në çdo telefon. Po ju grabisin! Skema TXEX është më e madhja! Në Divjakë përmasat janë dramatike, me mbi 1000 persona të përfshirë. U bëj thirrje qytetarëve: dilni sa më shpejt nga kjo piramidë, denonconi dhe dorëzoni telefonat tek policia që hetuesit të gjurmojnë rrjedhën e parave.”
Pse duhet ndërhyrje urgjente

TXEX është vetëm maja e ajsbergut. Skema nuk është një mashtrim i thjeshtë online, por një rrjet ndërkombëtar kriminal që po përdor Shqipërinë si terren të hapur. Ky është një rast që duhet të trajtohet me përparësi nga SPAK, me koordinim përmes EUROPOL dhe EUROJUST, për shkak të natyrës ndërkufitare dhe dëmeve masive që po shkakton.

Nëse autoritetet nuk veprojnë tani, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të re piramidash, këtë herë digjitale, ku viktimat nuk janë më vetëm të viteve ’90, por edhe brezat e rinj të joshur nga iluzioni i “fitimeve të shpejta./Versus.al

Poll