Në mëngjesin gri të 27 prillit, qetësia e Vlorës u prish nga një krim i rëndë që nuk ishte as spontan dhe as i thjeshtë. Vrasja e Renato Hoxhajt, një roje sigurie 58-vjeçar, rezulton të ketë qenë produkti i një operacioni të ftohtë, të mirëorganizuar dhe të financuar nga një dorë kriminale me rrënjë përtej kufirit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i dyshuar i atentatit nuk ishte shqiptar. Ai dyshohet se ishte një shtetas rumun, banues në Greqi, i cili u fut në Shqipëri me një mision të qartë: eliminimin e objektivit. Identiteti i tij tashmë është në duart e Policisë së Vlorës, e cila e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas krimit, ai u zhduk po aq shpejt sa erdhi, duke kaluar sërish kufirin për në Greqi.
Por ajo që e bën këtë rast edhe më tronditës është parapërgatitja e gjatë dhe precize. Rumuni kishte qëndruar në Shqipëri për rreth një javë. Gjatë gjithë asaj kohe, kishte vëzhguar çdo lëvizje të viktimës, rrugët hyrëse e dalëse, dhe skenarët e mundshëm për t’u larguar pa lënë gjurmë.
Udhërrëfyesi i tij në këtë territor të panjohur ishte Kleanth Bylyku, 42 vjeç, i njohur me pseudonimin Armando Gega. Ai u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Vlorës, pas hetimeve që e lidhën drejtpërdrejt me vrasësin e huaj. Nga marrja e makinës në Tiranë, e deri te dita e ekzekutimit, dyshja ishte parë shpesh bashkë
Një vrasje e kontraktuar: Misteri i huaj pas atentatit të 27 prillit në Vlorë.
Bylyku ka zgjedhur të heshtë para hetuesve, por provat janë të qarta. Gjykata e Vlorës caktoi ndaj tij masën “arrest me burg”, me akuzën e rëndë “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”. Nuk është hera e parë që ai përballet me drejtësinë, më herët ishte ndaluar për armëmbajtje pa leje. Por "puzzle" i këtij krimi nuk ndalet këtu. Më 30 prill, një tjetër emër hyri në skenë: Eris Mehmetaj, i dyshuar si ndihmës në organizimin logjistik të vrasjes. Mehmetaj akuzohet për sigurimin e mjetit me të cilin lëvizi vrasësi në Vlorë, si dhe për manipulimin e targave për të shmangur gjurmimin. Ai është i lidhur me Roan Brahimin, një emër i njohur për botën e errët të krimit, i cili u ekzekutua në Greqi. Hetuesit dyshojnë se vrasja e Hoxhajt mund të jetë porositur nga Dubai, aty ku strehohet një grup i fuqishëm kriminal nga Vlora. Dyshohet se viktima ishte një hallkë e dobët që kishte “folur shumë”, një informator potencial për grupin rival.
Kontrata për vrasje, në këtë rast, është e ngjashme me praktika të njohura tashmë në skedaret hetimorë të policisë shqiptare. Në janar të vitit 2018, Devi Kasmi u vra në Tiranë nga një ish-komando grek, ndërsa në prill të vitit 2023, një skuadër britanikësh zbarkoi në Shëngjin për të eliminuar Ardian Nikulajn.







