
Një 35 vjeçar me inicialet E.M alarmoi pushuesit dhe punonjësit e sigurisë detare pasi kishte rënë në det gjatë lëvizjes me gomone. Policia kufitare pa një gomone teksa lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar pa persona në bord.
Pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit. Verifikimet zbuluan se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E.M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes së gomones.
35-vjeçari arriti të dilte në gjirin e Llamanit, ku u gjet i dëmtuar në këmbë. Ai u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, gomonia vazhdonte të lëvizte pa kontroll, duke paraqitur rrezik serioz për mjetet e tjera lundruese dhe pushuesit në zonë. Një punonjës i Njësisë Policore Detare arriti të hipte në bord dhe ta ndalonte mjetin, ndërsa më pas ai u shoqërua në Pikën e Kontrollit Kufitar Himarë për verifikime të mëtejshme. Versus.al

