Gjykata e Apelit e Tiranës ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) informacion mbi bisedat e mundshme në aplikacionin e koduar Sky ECC, lidhur me vrasjen e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prela. Ky hap është ndërmarrë gjatë shqyrtimit të dosjes penale ndaj Redion Hysës dhe Nikollë Sherrnikut, të akuzuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Në vitin 2023, Gjykata e Lezhës shpalli të pafajshëm Redion Hysën, i cili ishte arrestuar pas gjetjes së një pistoletë në depozitën e ujit mbi shtëpinë e tij. Megjithatë, kjo pistoletë nuk kishte gjurmë gishtash të Hysës dhe nuk u provua se ishte përdorur në krim. Në anën tjetër, Nikoll Sherrniku, i njohur për lidhjet e tij me Ervis Martinaj, u dënua me 3.6 vite burg për "Përkrahje të autorit të krimit".
Në vitin 2022, dosja kaloi për gjykim, me Hysën të akuzuar për "Vrasje me dashje", "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit", "Kanosje" dhe "Prishje të rendit dhe qetësisë publike", ndërsa Sherrniku për "Përkrahje të autorit të krimit".
Për vrasjen e Xhulio Prelës, fillimisht u akuzua Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinaj, por më vonë prokuroria e pushoi akuzën për të dhe arrestoi Redion Hysën, pasi në depozitën e ujit mbi shtëpinë e tij u gjet pistoleta me të cilën u krye krimi, edhe pse në të nuk u gjetën gjurmë të gishtërinjve të të arrestuarit.
Gjatë shqyrtimit të dosjes në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm janë marrë dëshmitë e zyrtarëve të policisë që hetuan çështjen, dhe gjykata ka vendosur t’i kërkojë SPAK bisedat e mundshme në Sky ECC në kohën kur ngjarja ka ndodhur, mes Ervis Martinaj, kushëririt të tij të ndjerë Brilant Martinaj dhe nëse këta të dy apo përdorues të tjerë kanë biseduar për krimin dhe nëse janë implikuar dy të pandehurit Hysa e Sherrniku.
Pasi të administrojë këtë provë, Apeli do të firmosë dhe verdiktin e tij lidhur me dy të pandehurit.
Xhulio Prela u vra në 5 dhjetor 2020, teksa kthehej nga Shkodra drejt Tiranës, pasi kishte shoqëruar një të afërmin e tij. Referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, të vetmet automjete që rezultojnë të kenë lëvizur në atë rrugë për një kohë të gjatë, për shkak se lëvizjet ishin të kufizuara nga pandemia e COVID-19, janë ai që drejtohej nga Xhulio Prela dhe i dyti nga Brilant Martinaj. Kjo e fundit provohet nga kamerat e sigurisë të një karburanti shumë pranë vendit ku ndodhi krimi, ku Martinaj i veshur me rroba ushtarake ndalohet dhe furnizon makinën me karburant.
Brilant Martinaj u ekzekutua me 17 korrik 2022 tek mbikalimi i Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij dhe pas atentatit mafioz, gjykata e Lezhës liroi nga akuzat Redion Hysën, pas afro dy vitesh qëndrimi në paraburgim.








