Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar një operacion të gjerë në Sarandë, Ksamil dhe zonat përreth, duke çuar në arrestimin e disa efektivëve të policisë dhe shpalljen në kërkim të një tjetër zyrtari, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime me ndërtimet pa leje në bregdet.
Sipas informacioneve, janë arrestuar Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, si dhe dy specialistë policie, ndërsa në kërkim është shpallur Shefi i Krimeve të Sarandës, Andi Duro.
Hetimet e AMP-së lidhen me dyshime se punonjës të policisë, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ose kanë mbyllur sytë ndaj ndërtimeve të paligjshme në zonat turistike të jugut.
Operacioni ka nisur pas disa rasteve të fundit të konstatuara në Sarandë dhe Ksamil, ku janë evidentuar ndërtime pa leje dhe janë ndërmarrë masa nga Prokuroria dhe policia.
Në një prej rasteve, është sekuestruar edhe një objekt në ndërtim, ndërsa disa persona të tjerë janë arrestuar dhe të tjerë janë shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e plotë të çdo të përfshiruri, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar nga AMP mbi rezultatet e operacionit./Versus.al


