
Një shqiptar 38-vjeç humbi jetën mbrëmjen e së shtunës pas një ndjekjeje nga policia italiane që përfundoi me një aksident fatal. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën Tre Cancelli, në Nettuno, afër Romës.
Sipas autoriteteve italiane, gjithçka ndodhi rreth orës 20:30, kur dy automjete kaluan me shpejtësi para dy patrullave të policisë. Agjentët nisën menjëherë ndjekjen. Automjeti i parë, që u ndalua shumë shpejt, rezultoi të ishte i drejtuar nga një 26-vjeçar italian, i cili tashmë është arrestuar.
Ndërkohë, makina e dytë, një Fiat Cinquecento, e drejtuar nga shtetasi shqiptar, vijoi arratisjen në një rrugë të dëmtuar dhe pa asfalt. Një sasi e madhe pluhuri u ngrit, duke penguar dukshmërinë për policinë, e cila u detyrua të ngadalësojë ndjekjen.
Pak çaste më vonë, makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë telefoni, duke u rrotulluar disa herë. Impakti ishte fatal. Policia i është afruar menjëherë vendit të ngjarjes për të ofruar ndihmë, por shqiptari 38-vjeçar kishte ndërruar jetë në vend.
Gjatë kontrollit të automjetit, hetuesit zbuluan një çantë të madhe që kishte dalë nga makina, në të cilën ndodheshin 23 paketa me gjithsej 25 kilogramë kokainë. Droga dyshohet të ketë qenë në proces shpërndarjeje.
Trupi i viktimës është dërguar në Policlinico Tor Vergata për autopsi. Ndërkohë, 26-vjeçari italian që u ndalua në makinën tjetër është arrestuar për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Masa e sigurisë ndaj tij është në pritje të konfirmimit nga gjykata italiane.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar nëse kemi të bëjmë me një rrjet të strukturuar të trafikut të drogës. /Versus.al/







