Ervis Matodashaj, i njohur si “Çoke qorri”, rezulton në kërkim nga SPAK si person i dyshuar për lidhje të ngushta me Inez Hajrulla, i identifikuar nga hetimet si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në Vlorë.
Sipas dosjes hetimore, më 7 mars Matodashaj dhe Hajrulla i kanë shpëtuar një operacioni arrestimi të urdhëruar nga SPAK. Inez Hajrulla konsiderohet nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndër vite ka qenë disa herë objekt atentatesh.
Rasti i parë i dokumentuar daton në vitin 2017, kur ndaj Hajrullës është tentuar një sulm me eksploziv në një lokal në Vlorë, zonë e frekuentuar edhe nga figura të tjera të botës së krimit.
Një tjetër ngjarje është regjistruar në vitin 2019, kur Hajrulla ndodhej së bashku me Matodashajn në zonën e njohur si “7 pallatet Oslo”, ku ndaj tyre u qëllua me breshëri armësh. Nga të shtënat mbeti i plagosur një qytetar i rastësishëm, ndërsa autorët u larguan dhe dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Hetimet përfshijnë gjithashtu një plan të dyshuar atentati në gusht 2023, kur policia arrestoi në Vlorë një 35-vjeçar të armatosur me pistoletë me silenciator, municion dhe pajisje të tjera. Sipas SPAK, objektiv i këtij plani dyshohet se ishin pikërisht Hajrulla dhe Matodashaj.
Për këtë çështje, disa persona janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, përfshirë edhe Leonard Luzi, i cili u ekstradua nga Spanja dhe u dënua me 11 vite burg, të reduktuara në 7.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, Amarildo Nikolli dhe Muharrem Koroveshi janë dënuar për përfshirje në të njëjtën çështje.
Hetimet e SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal në Vlorë dhe rolin e personave të përfshirë në këto ngjarje./Versus.al

