Të shtunën forcat RENEA blinduan zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë në kërkim të Ines Hajrullës, të njohur ndryshe si “i forti i Vlorës”. Ky aksion lidhej me një hetim të SPAK për zbardhjen e vrasjes së Gentian Qarrit të ndodhur në shkurt të vitit 2021. Pas zbardhjes së përgjimeve që provonin se krimi ishte kryer nga grupi i Hajrullës, SPAK lëshoi 8 urdhër arreste, por Hajrulla dhe krahu i tij i djathtë Ervis Matodashaj nuk u kapën.
Në pranga ranë një efektiv policie dhe një ish-efektiv të cilët dyshohet se ishin pjesë e këtij grupi kriminal me informacionet që i jepnin Hajrullës lidhur me rivalët e tij dhe operacionet e forcave blu.
Emisioni “Në Shënjestër” zbardhi detaje nga dosja hetimore e grupit të Hajrullët, anëtarët e të cilit kishin komunikuar në aplikacionin “SkyEcc” për planin e vrasjes së Gentian Qarrit apo “Gëçes”. Teksa bëjnë planet për të vrarë Qarrin, Ervis Matodashaj, i shkruan Inez Hajrullës “të fortit të Vlorës”: ‘Nëse e vret unë do të puth në b….’
Pasi Qarri qëllohet, ata komunikojnë me njëri tjetrin që ka vajtur ambulanca dhe e ka marrë pasi ishte ende gjallë.
‘Është gjallë, do të vdesë robq…Hajde tani të të puth në b…’ shkruan Matodashaj.
Më pas shkruan në Sky Ecc, ‘Minus 1’, gjë që sipas hetuesve konfirmon vrasjen e Gentian Qarrit.
Hajrulla dhe Ervis Matodashaj nuk janë përgjegjës vetëm për vrasjen e Gentian Qarrit, më 6 Shkurt 2021. Por edhe atë të Bledar Birçajt, 40 vjeçarit i cili u ekzekutua me 30 plumba në makinën e tij “BMW X5”.
Në të dyja krimet, pista kryesore e hetimeve janë konfliktet për trafikun e drogës. Versus.al


