
Ish-drejtori i policisë rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti, në fjalën e mbajtur sot në protestën para Kryeministrisë, i bëri thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të mbrojë qytetarët nga dhuna.
Ahmeti tha se Hita ka një përgjegjësi të madhe si drejtues policie, për të siguruar që efektivët të veprojnë vetëm në përputhje me ligjin dhe të mos tejkalojnë kompetencat e tyre.
“Nëse më dëgjon drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duhet ta dijë se është një njeri që, në bazë të ligjit të këtij shteti, është ndër njerëzit me përgjegjësinë më të madhe në vend. Ai do të mbetet me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë së re, nëse mbron popullin e tij”, u shpreh Ahmeti.
Ish-oficeri theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët dhe jo të ushtrojë dhunë ndaj tyre.
“Jua them me kompetencën teknike të një ish-oficeri të lartë të Policisë, që e njeh mirë menaxhimin e turmave: t’i japë urdhër të gjithë zinxhirit komandues që, në mënyrë kategorike, të mos e tejkalojnë përdorimin e forcës, përveç rasteve kur është e domosdoshme sipas ligjit.
Punonjësit e Policisë janë vëllezërit tanë, kolegët tanë, shokët tanë. Ju lutem, më besoni, edhe unë jam një prej jush. Jo dhunës. Në mënyrë kategorike, jo dhunë. Ne kësaj klike dhe krimit të organizuar do t’ia hapim varrin me gjilpërë, por jo me dhunë”, deklaroi Ahmeti.Versus.al

