AKTUALITET /

Nesër përcillet në banesën e fundit, zbardhet amaneti i Anagnostit për vendin ku do të varroset

Shkruar nga Versus

Nesër përcillet në banesën e fundit, zbardhet amaneti i

Dhimitër Anagnosti do të varroset në fshatin e tij të lindjes, në Vuno të Himarës. Ky ka qenë amaneti i tij për njerëzit e afërm para se të mbyllte sytë për herë të fundit në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Homazhet për regjisorin e njohur do të mbahen në të martën në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit përgjatë orarit 10:00-13:00. Më pas do të përcillet për në banesën e fundit.

Për ndarjen nga jeta të njërit prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, kanë reaguar edhe figura të larta të politikës shqiptare, figura të botës së artit dhe intelektualë të shquar si profesori Përparim Kabo. Ky i fundit në ngushëllimet e shprehura në rrjetin social e ka cilësuar si institucion më vete Anagnostin për kontributin që regjisori i njohur i dha artit dhe kulturës shqiptare.

"U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.

Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.

U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë.

Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty,  i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur! Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë! MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!", shkroi Kabo.

Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj e përshkroi Anagnostin si “mjeshtër i ndërtimit të karaktereve shqiptare” duke thënë se  kinemaja do të jetë e varfër pa të.

“Lamtumirë "diktatori i së bukuŕës",

maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar!Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria  sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë  dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!"- shkroi Mevlan Shanaj. Versus.al

Poll