
Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti i cili mbylli sytë për herë të fundit në moshën 89 vjeçare.
Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, duke e quajtur “Barba Taqo”, Rama thekson se kineastin e kishte njohur që kur kryeministri ishte në moshë të vogël.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”- shkruan kreu i qeverisë në postimin e bërë. Versus.al







