AKTUALITET /

Nga 250 euro në 50 mijë: Ja si operonte rrjeti i call center-it në Tiranë i drejtuar nga vëllezërit Prekaj

SPAK dhe BKH bashkë me autoritetet italiane goditën një call center që zhvatte 100 milionë euro nga mijëra viktima në BE. Tre vëllezër Prekaj, drejtuesit kryesorë, janë shpallur në kërkim. Arrestime flagrante dhe prova milionëshe, dhjetëra kuleta kripto, dhe një skemë mafioze dixhitale zbardhen për herë të parë.

Shkruar nga Versus

Nga 250 euro në 50 mijë: Ja si operonte rrjeti i call center-it

Në një operacion të jashtëzakonshëm të koordinuar mes SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Drejtorisë së Antimafias italiane, kanë shkatërruar një fortesë kriminale në zemër të Tiranës, pikërisht në kullën luksoze "Green Tower Forever"  simbol i fshehtësisë dhe luksit të dyshimtë.

Aksioni, i nisur mbrëmjen e të premtes 16 janar 2026 dhe ende në zhvillim sot, ka çuar në prangosjen e 10 operatorëve kryesorë, ekzekutimin e 8 masave të sigurisë dhe shpalljen në kërkim të tre vëllezërve Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, që drejtonin këtë makineri mashtrimi.

Por kjo nuk është një goditje e rastësishme: pas një hetimi disa mujor të verifikuar kryqëzuar mes Tiranës dhe Romës, autoritetet kanë sekuestruar miliona euro në cash, dhjetëra kuletë kriptomonedhash dhe prova materiale që zbardhin një rrjet të strukturuar kriminal, i aftë për të zhvatur të paktën 100 milionë euro nga mijëra viktima kryesisht në Itali, por edhe nga Evropa dhe më gjerë.

Prokurori i SPAK-ut Vladimir Mara ka qenë në krye të këtij fronti, ndërsa drejtuesi i BKH-së Joni Keta ka zbritur personalisht në terren, duke drejtuar bastisjet në 6 ambiente të dyshuara njëra kryesore në kullën pranë Gjykatës së Lartë ku dyshohet se zyrat u zhvendosën të paktën 4 herë për të fshirë gjurmët.

Gjithçka ka rrënjët në një investigim të emisionit italian "Le Iene", në Italia 1, ku gazetari i njohur Luigi Pelazza infiltroi gati 15 agjentë për të zbërthyer nga brenda hierarkinë e kësaj 'perandorie dixhitale'.

Pelazza, i cili ka kaluar javë të tëra duke gjurmuar burime të brendshme, ka demaskuar një skemë diabolike që operon si një organizatë mafioze e mirëstrukturuar: operatorët e rinj, shpesh rekrutuar nga Itali dhe vende të Evropës Lindore, telefonojnë viktima të pafuqishme financiare me premtime bombastike për "investime të sigurta në aksione me fitime të menjëhershme".

Hapi i parë është një pagesë fillestare minimale prej 250 eurosh, e paraqitur si hyrje në botën e fitimeve të lehta.

Menjëherë pas derdhjes, viktimës i jepet akses në një platformë false interneti ku shfaqet  një "llogari personale" prej 50 mijë eurosh një iluzion dixhital i krijuar për të ndezur lakminë.

Kur viktima kërkon të tërheqë "fitimet", sistemi i thotë se nevojitet një transferim i ri për "verifikim" ose "taksa", duke e futur në një spirale vicioze ku shumat shumëfishohen derisa të arrijnë mijëra euro për person, para se të zhduken përgjithmonë drejt llogarive të errëta në Tiranë, Qipro dhe Maltë.

Ky nuk është thjesht një call-center i zakonshëm: investigimi i "Le Iene" ka zbuluar nivele të thella hierarkike, duke filluar nga rekrutuesit lokalë në Tiranë deri te figura kyçe ndërkombëtare.

Një element shokues është përfshirja e dyshuar e Alfonso-s, një oficer policie në Salerno, Itali, i cili ka pranuar se ka rekrutuar të rinj italianë për të punuar në këto qendra jashtë vendit.

"Këto janë vetëm konsulta për aftësitë gjuhësore, 10 vjet më parë", është justifikuar ai kur është konfrontuar nga Pelazza, duke shtuar me cinizëm se "në rastin më të mirë merr një sanksion disiplinor, jo paditje penale".

Kjo rrëfenjë ka çuar autoritetet italiane , të cilët pas verifikimeve kanë kaluar informacionin te SPAK, duke nisur një hetim paralel që ka kulmuar me aksionin e mbrëmjes së djeshme.

Arrestimet flagrante përfshijnë shtetasit R.Gj., E.Gj., D.Q., E.M., R.P. dhe O.K., të cilët besohet se ishin operacionistët e drejtpërdrejtë në vijën e parë të telefonatave mashtruese.

Dyshimet thellohen se ky rrjet ka operuar për muaj të tërë pa u zbuluar, duke shfrytëzuar anonimitetin e Tiranës si bazë ideale për krime dixhitale globale./Versus.al

 

Poll