
Tiranë- Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të Elton Arkaxhiut, i cili rezulton të ketë qenë i dënuar më herët në Francë për trafik droge.
Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria sekuestroi pasuritë e Arkaxhiut dhe të familjarëve të tij me pretendimin se të ardhurat ekonomike nuk i justifikonin dhe dyshohej se ishin siguruar falë veprimtarisë kriminale të tij.
Hetimet e prokurorisë kanë nxjerrë në pak se përgjatë periudhës 2005-2010, kohë kur janë vendosur këto pasuri, Elton Arkaxhiu dhe vëllai i tij B.Arkaxhiu kanë qenë në pamundësi financiare për të përballuar blerjen e lokalit me sipërfaqe 108 m². Kjo për shkak se totali i të ardhurave të ligjshme (rroga, pensione, aktivitet tregtar, kredi, hua dhe të ardhura të tjera) është dukshëm më i ulët se totali i investimeve dhe shpenzimeve të konstatuara.
Gjithashtu për familjarin e tij, A.M i cili sipas deklaratës noteriale pretendon pronësinë e lokalit me sipërfaqe 63 m², hetimet kanë zbuluar se në vitet 2005-2006 ai rezulton në pamundësi financiare dhe të ardhurat e mëvonshme nuk mund të justifikojnë burimin e pasurisë në kohën e blerjes. I rëndësishëm për hetimin ka qenë edhe deklarimi i administratorit të shoqërisë “INA” sh.p.k., i cili ka sqaruar se në kryerjen e pagesave për të dy kontratat në të gjitha rastet ka qenë i pranishëm vetë B.Arkaxhiu, ndërsa nuk ka mundur të ndajë pjesëmarrjen e A.M. në këto pagesa. Mungesa e mundësisë financiare të A.M. në momentin e krijimit të pasurisë, së bashku me deklarimet se pagesat janë kryer faktikisht nga B. Akaxhiu, përbëjnë të dhëna të dobishme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se pasuria 63 m² nuk është në zotërim të A.M., por të Elton Arkaxhiut.
Për këto arsye, prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të paluajtshme si më poshtë:
- Pasuria e llojit truall, me sip.71/.52 m2 dhe ndërtesë 37.52 m2, me nr.5/255, zk.8380. Kjo pronë është blerë më datë 04.08.2010, sipas kontratës së shitblerjes kundrejt vleres 9 332 800 lek dhe aktualisht është ne pronësi te Elton Arkaxhiut;
- Pasurinë e përfituar nga vëllai, B. Arkaxhiu, njësi shërbimi 108 m2, me vlerë 210.000 euro; dhe
- Pasurinë e përfituar nga vëllai B.Arkaxhiu, njësi shërbimi 63 m2, me vlere 126.000 euro. Versus.al

