Prej muajsh në Shqipëri po promovohet hapja e bankës së parë 100% digjitale ‘’Banka Jet’’ e cila prezantohet si bankë moderne pa degë fizike dhe që funksionon vetëm nëpërmjet aplikacionit në telefon. Megjithatë pikëpyetjet janë të mëdha edhe për faktin se nuk janë sqaruar publikisht.
Banka ende nuk është operative, por së fundmi banka ka kryer një sërë ndryshimesh të cilat do t’i japin mundësinë për të nisur plotësisht aktivitetin në vendin tonë. Sidoqoftë procesi i licensimit mund të ygjasë deri në 12 muaj dhe ende nuk përbën garanci se banka do të marrë licensën finale.
Fillimisht një prej pikave më shqetësuese lidhej me kapitalin pasi subjekti rezulton me kapital fillestar rreth 3.5 milionë lekë ndërkohë që rregulloret dhe praktika e Bankës së Shqipërisë kërkon që një bankë e re të ketë kapital minimal rreth 1 miliardë lekë. Por me ndryshimet e fundit për t’ju përputhur legjislacionit shqiptar, përveç ndryshimit të emrit nga ‘Jet Bank’ në ‘Banka Jet’, subjekti ka rritur edhe kapitalin fillestar të operimit në 3.5 miliardë lekë siç raportohet në media.
Shqetësues është edhe fakti se nuk dihet ende burimi I këtyre parave, ndërsa çështja e pronësisë ngre dyshime të tjera. Fillimisht në QKB ku informacioni ende nuk është përditësuar, rezulton se pronar është shtetasi izraelito-britanik Idan Avishai, por dokumentet zyrtare të regjistrimit tregojnë se Avishai është pronar nëpërmjet strukturës së ‘’Jet Holding’’ të themeluar në Holandë në shtator të këtij viti me 6 shoqëri aksionere për të cilat shumë pak dihet dhe duket sikur janë hapur posaçërisht për aktivitetin në Shqipëri.
Edhe drejtimi i bankës ngre pikëpyetje. CEO e saj, Fatbardha Rino, prezantohet si profesioniste me mbi 20 vite përvojë në bankim, por në artikujt promovues nuk përmendet fakti se ajo ka qenë më parë drejtuese e iutePay, pjesë e grupit Iute Credit. Sektori i mikrokredive në Shqipëri ka qenë në qendër të skandalit më të madh financiar të viteve të fundit, me mijëra qytetarë të prekur nga praktika abuzive dhe me hetime nga autoritetet. Edhe pse kjo nuk përbën automatikisht shkelje ligjore për CEO-n, mungesa e këtij informacioni në prezantimin publik është problematike për një institucion që kërkon besim maksimal nga publiku.
Në strukturat drejtuese dhe bordin e bankës përmenden edhe emra si Oliver Hemmer dhe Rami Solomon. Për këta persona informacioni publik është i kufizuar, ndërsa për disa prej tyre rezulton përvojë e mëparshme në platforma tregtimi online dhe forex, sektorë të njohur ndërkombëtarisht për rrezik të lartë dhe raste të shpeshta mashtrimi. Publikut nuk i është shpjeguar qartë pse dhe mbi çfarë kriteresh këta individë konsiderohen të përshtatshëm për të drejtuar një bankë në Shqipëri.
Një tjetër problematikë lidhet me faktin se kjo bankë nuk do ketë degë fizike dhe për rrjedhojë nuk do të ketë zyrë apo adresë ku qytetarët të paraqiten për ankesa apo sqarime ndërkohë që një detaj i tillë është tepër i nevojshëm duke parë sesi shumë shqiptarë po raportojnë problematika edhe me bankat tradicionale nga bllokimi i llogarive e deri tek shërbimi i dobët. Gjithashtu nuk është e qartë për pbulikun sesi do të funksionojë mbrojtja e depozitave dhe çfarë ndodh me paratë e qytetarëve në rast të ndonjë sulmi kibernetik apo gabimi teknologjik e blloikim të padrejtë të llogarive.
Banka Jet ka shumë paqartësi të cilat nisin që prej tek origjina e kapitalit e deri tek historiku i personave që do të menaxhojnë paratë e qytetarëve dhe kush do të mbajë përgjegjësi në rast se diçka shkon keq. Versus.al


