Në shtator të 2024-s redaksisë së Versus i mbërritën disa mesazhe me konotacione të forta erotike mes një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe vartëses së tij.
Veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit, kjo gjykatë ka qenë stacioni i fundit i çështjeve shumë të rëndësishme në vend duke polarizuar mjedisin politik dhe ekonomik.
Por ndërsa muajt kaluan kjo gjykatë, anëtarët e së cilës janë vënë në provën e zjarrit duket se ende nuk mundet të godasë me forcën e kartonit të padiskutueshëm të ligjit dhe integritetit moral.
Duke iu rikthyer mesazheve të shtatorit 2024, Versus asokohe ngriti shqetësimin e ndërhyrjeve të interesave kriminale, politike e ekonomike në këtë Gjykatë. Atëherë ne vendosëm të mos bënim publik emrin e gjyqtarit të përfshirë në skandal seksual. Por sot 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në çështjen qeveria Rama vs GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e saj si zv.kryeministre dhe ministre, zbardhja e qëndrimeve të gjyqtarëve nxjerr në pah sërish emrin e Gent Ibrahimit.
Një votim 4 me 4 për këtë çështje, e la hapur diskutimin nëse SPAK dhe GJKKO kanë të drejtë të pezullojnë një anëtar të kabinetit qeveritar. Shumëkush e cilësoi si atentat ndaj Kushtetutës dhe parimit të ndarjes së pushteteve.
Por në një amulli të këtillë, të gjithë jemi me vetulla ngritur. Në vendimin e 12 dhjetorit të vitit që sapo lamë pas Ibrahimi ngriti kartonin kundër pezullimit të Ballukut, ndërsa 2 muaj më pas vendosi ta lërë në boshllëk funksionin e Gjykatës Kushtetuese. Duke e prezumuar vendimin e tij si të bazuar tek integriteti moral dhe ligji, sërish nuk mund të kthejmë dot kokën anash për të mos parë se sa lehtësisht të shantazhueshëm e ka ekspozuar veten Gent Ibrahimi.
Nuk mund të injorojmë as informacionet se personazhe ‘në zë’ kriminale janë përfshirë në këtë çështje.
Asokohe, gati 2 vjet më parë ne ngritëm pyetjen: A e kemi ‘luksin’ të kemi gjyqtarë që vulosin çështje kaq të rëndësishme, por që janë lehtësisht të kompromentueshëm?!
Sot duhet të kishim një vendim të qartë dhe në mbështetje të dokumentit më të lartë të shtetit dhe përgjigja duket se vjen natyrshëm, dosjet me SKY ECC, komplikimet në afera rozë, formimi I diskutueshëm profesional etc. nuk mund të kompromentojnë institucionin e vetëm garant të zbatimit të së drejtës dhe ligjit.
Gjithkush i kapur në shantazh, më së paku duhet t’i shmangë vetes pengmarrjen. Dorëheqja është faqja e bardhë, së paku do të ishte borë e bardhë që para 2 vitesh. Por ende nuk është vonë!/ Versus.al

