Pas shtrimit urgjent mbrëmjen e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani vijon të jetë nën trajtim të specializuar në repartin e reanimacionit të kardiologjisë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Dumani po i nënshtrohet një sërë analizash të thelluara, për të vlerësuar gjendjen e tij të plotë shëndetësore, pas problemeve me zemrën që shfaqi një ditë më parë. Duke qenë një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të drejtësisë në çështje që prekin organizatat më të rrezikshme kriminale në vend, çdo komplikacion shëndetësor i tij po trajtohet me vëmendje maksimale, jo vetëm nga mjekët, por edhe nga strukturat e sigurisë.
Burime nga grupi hetimor nuk përjashtojnë mundësinë e një tentative kriminale në adresë të Dumanit, përfshirë edhe një skenar të mundshëm helmimi, çka ka çuar në kryerjen e analizave toksikologjike dhe monitorim të shtuar të gjendjes së tij, për të provuar ose përjashtuar kësisoj këtë hipotezë.
Aktualisht, Urgjenca e QSUT-së është e rrethuar nga forcat RENEA, ndërsa Forcat Speciale të Burgjeve vijojnë të ruajnë me masa të forta sigurie dhomën ku po trajtohet Dumani.
Një dëshmitar kyç për drejtësinë shqiptare
Nuredin Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit, i cili përmes dëshmive të tij ka ndihmuar SPAK-un në shpërbërjen e disa prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend. Rrëfimet e tij kanë shërbyer si bazë për dhjetëra arrestime dhe procedime ndaj figurave të njohura të botës së krimit.
Për shkak të këtij roli delikat dhe vlerës së madhe të dëshmisë së tij, Dumani mbrohet me masa të larta sigurie, por rreziku ndaj jetës së tij mbetet i vazhdueshëm, duke e bërë çdo problem shëndetësor një çështje me ndjeshmëri të lartë për strukturat e sigurisë dhe drejtësisë.







