AKTUALITET /

Nuredin Dumani rikthehet në qeli pas kontrolleve mjekësore, mjekët: nuk ka nevojë për ndërhyrje

Pas analizave dhe ekzaminimeve në urgjencë dhe kardiokirurgji, ai është rikthyer në qelinë e veçuar në Institucionin 313, ku mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Shkruar nga Versus
Nuredin Dumani rikthehet në qeli pas kontrolleve mjekësore,
Nuredin Dumani

Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë konfirmuar se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, nuk paraqet gjendje që kërkon trajtim spitalor të specializuar.

Pas analizave dhe ekzaminimeve në urgjencë dhe kardiokirurgji, ai është rikthyer në qelinë e veçuar në Institucionin 313, ku mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Burime për Top Channel bënë me dije se shqetësimet shëndetësore të Dumanit, si rrahje të shpejta të zemrës deri në humbje të vetëdijes, mund të lidhen me stresin, ushqimin apo mungesën e aktivitetit fizik.

Kjo është hera e dytë që ai shfaq probleme të ngjashme takikardike. Edhe më herët, mjekët e burgut kishin rekomanduar kontroll më të detajuar jashtë institucionit.

Drejtoria e Burgjeve thekson se ushqimi i konsumuar nga Dumani është i kontrolluar dhe i siguruar nga familja, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përjashtuar mundësinë e helmimit.

Dumani, i penduari që ka hapur 11 dosje në SPAK për krimin e organizuar dhe që nisi bashkëpunimin me drejtësinë përmes “Plumbit të Artë”, vijon të mbahet në qelitë e izolimit, tashmë të përshtatura për dëshmitarët e mbrojtur të SPAK. Aktualisht në këto ambiente mbahen 13 të penduar, mes të cilëve Dumani dhe Erjon Alibej konsiderohen figurat kyçe të hetimeve./ Versus.al

Poll