
Policia e Tiranës ka mbyllur ditën e sotme spitalin privat “Sante Plus” (i regjistruar me emrin tregtar SANTE PLUS GROUP – International Medicare Hospital), pas një hetimi disa mujor që zbuloi shkelje të rënda ligjore.
Hetimet zbuluan se subjekti nuk kishte deklaruar fitime mbi 1 milion euro gjatë periudhës 2024-2025, ndërsa shërbimet spitalore ofroheshin me produkte të skaduara dhe të ndaluara për përdorim. Përveç kësaj, në klinikë punonin persona të pasiguruar dhe përdorej një skemë e gjerë evazioni fiskal nëpërmjet faturave të pafiskalizuara.
Në kuadër të operacionit u arrestua administratori Edmond Zaja, ndërsa dy bashkëaksionerët e spitalit, shtetasi turk Bilal Kara dhe shtetasja shqiptare Geriana Arapi, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se kanë lënë territorin e Shqipërisë.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara, 6 kompjuterë dhe produkte të dyshuara kontrabandë.
Spitali ishte denoncuar edhe më herët në media për raste problematike gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, por vetëm pas këtij operacioni është bllokuar plotësisht veprimtaria e tij./ Versus.al







