
Një operacion policor i koduar “Barriera” është finalizuar në Tiranë, duke goditur një rast të tentativës për shitje të armëve të zjarrit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin 48-vjeçar Ligor Mehmeti, i cili u kap në zonën e Tufinës teksa transportonte armë zjarri me automjetin e tij.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), si dhe 3 krehra me municion, automjetin dhe celularin e të arrestuarit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët do të shiteshin në zonat e Freskut dhe Tufinës.
Operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët për një aktivitet të dyshuar të trafikut të armëve. Autoritetet konfirmojnë se i dyshuari u ndalua në rrugën “Myslym Keta” gjatë lëvizjes me automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë së Tiranë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë të personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Barriera”.
Goditet një rast i tentativës për të shitur armë zjarri.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake).
Arrestohet 48-vjeçari që i posedonte armët, me qëllim shitjen.
Ai u kap në flagrancë, në Tufinë, duke i transportuar armët, me automjet.
Në bazë të informacioneve të siguruara për një rast të posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Barriera”.
Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi Ligor Mehmet, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Myslym Keta”, Tufinë, ndërkohë që lëvizte me automjetin e tij.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 armë taktike luftarake), që dyshohet se ky shtetas i posesonte me qëllim shitjen në zonat “Fresku” dhe “Tufinë”.
Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 krehra me municion, automjetin që drejtonte shtetasi L. M. dhe celularin e tij.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

