
Një i moshuar nga Përrenjasi në gjendje të mjerueshme ekonomike vendosi të udhëtonte drejt Tiranës me shpresën për të gjetur punë. Sadik Kurti, 70-vjeç, prej dy ditësh endet rrugëve të Tiranës pa ushqim, uji dhe një strehë për të fjetur.
Ai jeton me bashkëshorten e tij në një shtëpi me qira në Përrenjas, por mungesa e të ardhurave e ka detyruar të kërkojë punë që të përballojë shpenzimet mujore. Rasti i 70-vjeçarit është publikuar në rrjetet sociale nga një qytetare.
“Sot ndërsa isha ulur në kafe duke punuar, më afrohet një zotëri rreth të 70-ve, shumë i sjellshëm, por aq i rraskapitur sa u desh të ulej e të merrte frymë. Fytyra e tij tregonte vite e vite vuajtjesh dhe lodhje që nuk kisha parë ndonjëherë.
Më shpjegoi që ishte nga Përrenjasi, me ato pak të holla që i kishin ngelur, dhe kishte gati dy ditë në Tiranë pa bukë duke kërkuar punë. Në çdo vend që kishte pyetur nuk ka arritur të sigurojë diçka, ndaj do kthehej në Përrenjas sërish. E ndihmova me ato lekë që kisha dhe i kërkova një kontakt, por zotëria nuk kishte një telefon.
Më tregoi që ka bërë kërkesë për ndihmë ekonomike sepse dhe gruan e ka të sëmurë, por i është thënë që nuk ka fonde, dhe kjo e detyroi të ngrihej nga andej e të kërkonte sikur edhe një ditë pune për pak lekë në këtë moshë të thyer.
I bëra këtë video zotërisë për të treguar historinë e tij. Tematika që ka prekur është një realitet i përditshëm. Nuk kishte as llogari bankare as telefon”, tregon qytetarja.

