Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Studençan të Suharekës, ku dy të mitur janë filmuar teksa përdhosin flamurin kombëtar shqiptar. Në pamjet e publikuara nga mediat në Kosovë, të rinjtë shihen duke grisur, shkelur me këmbë dhe më pas duke kaluar me makinë mbi flamurin kuqezi.
Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë pas publikimit të videos. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri me dije se ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2025 dhe të miturit janë marrë në pyetje në prani të prindërve. Sipas tij, ata kanë pranuar veprimin dhe kanë shprehur pendesë, duke deklaruar se nuk kanë pasur qëllim fyes apo nënçmues.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra edhe nga shoqëria civile dhe organizatat e dala nga lufta. Në një deklaratë publike, Organizata e Veteranëve të UÇK-së e cilëson veprimin si një akt të papranueshëm dhe si pasqyrë të një “krize të thellë morale”.
“Flamuri kuqezi është simboli i gjakut dhe i sakrificës, simboli që frymëzoi një popull për liri. Ky akt përbën fyerje ndaj kujtimit të dëshmorëve dhe vlerave të luftës çlirimtare,” – thuhet në deklaratën e veteranëve, të cilët kërkojnë nga institucionet që autorët të mbajnë përgjegjësi dhe rasti të mos relativizohet.
Autoritetet ndërkohë kanë konfirmuar se po trajtojnë rastin me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore që parashikohen për të mitur. /Versus.al







