Pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë në Suharekë, ku u përdhos flamuri kombëtar shqiptar, një tjetër simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kombëtare është vënë në shënjestër të vandalizmit në Kosovë. Këtë herë është dëmtuar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e vendosur në qytetin e Prizrenit. Pjesë të shtatores, përkatësisht përkrenarja dhe shpata, janë lyer me ngjyrë ari.
Shoqata “Trojet e Arbrit” ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar atë si një “sulm të shëmtuar dhe të qëllimshëm ndaj figurës më të ndritur të historisë sonë kombëtare”. Kryetari i kësaj shoqate, Nue Oroshi, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtij akti.
“Ky është një akt i papranueshëm, një provokim i qëllimshëm që cenon jo vetëm figurën e Skënderbeut, por edhe krenarinë tonë kombëtare,” ka deklaruar Oroshi.
Ndërkohë, Policia Rajonale e Prizrenit ka njoftuar se po verifikon gjendjen në terren dhe se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë. Sipas policisë, zona ku ndodhet shtatorja është e pajisur me kamera sigurie, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e personave përgjegjës.
Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila u inaugurua më 28 nëntor 2020 në rrethrrotullimin e rrugës “Hasan Prishtina” në Prizren, është një ndër monumentet më të rëndësishme historike dhe simbolike për qytetin dhe mbarë kombin shqiptar. /Versus.al







