Ka përfunduar procesi gjyqësor i nisur nga ish-drejtori i policisë Gledis Nano kundrejt shtetit shqiptar për shkarkimin e tij të padrejtë nga detyra. Pas betejës së gjatë ligjore, Nano doli fitimtar, ndërsa gjykata pranoi kërkesën që ai të përfitonte pagën për të gjithë mandatin e plotë pesëvjeçar, konkretisht shumën prej 100 mijë eurosh.
Përballja në gjyq ishte e gjatë pasi qeveria fillimisht jo vetëm që nuk e likuidoi detyrimin, por ndërmori një tjetër hap ligjor duke paditur studion përmbarimore dhe Nanon me kërkesën për pavlefshmëri të titullit ekzekutiv.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative të Apelit la në fuqi atë të Shkallës së Parë, duke detyruar shtetin shqiptar t’i paguajë ish-kryepolicit një dëmshpërblim prej 60 pagash mujore, që korrespondojnë me mandatin e ndërprerë. Vlera totale e përfituar arrin në rreth 100 mijë euro.
Nano u shkarkua nga detyra më 31 gusht të vitit 2022, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Më herët, kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se i kishte kërkuar dorëheqjen. Arsyeja zyrtare për largimin e tij ishte “mosrealizimi i objektivave”. Versus.al

