
Sot Holta Zaçaj largohet nga Gjykata Kushtetuese pasi mandati i saj kishte përfunduar që në muajin prill, ndërsa ditën e sotme betohet në presidencë anëtari i ri i Kushtetueses, Asim Vokshi.
Ajo ka vendosur të ndajë disa reflektime me publikun lidhur me punën e saj si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj thekson se në vitet e fundit, Kushtetuesja ka përballuar një numër rekord çështjesh të cilat sipas saj kanë ndikuar në ridimensionimin e profilit të kësaj gjykate.
Deklarata e Zaçajt:
Në përfundim të mandatit tim si gjyqtare dhe njëkohësisht edhe si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dëshiroj të ndaj me publikun disa reflektime mbi punën dhe arritjet e kësaj Gjykate përgjatë tre viteve në të cilat pata privilegjin, përgjegjësinë dhe kënaqësinë të ushtroj këtë funksion kushtetues. Kjo periudhë jo vetëm përputhet me pritshmëritë e mia për këtë mandat, por më lejoi edhe që të realizoj vizionin tim për administrimin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.
Viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin: çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm.
Përgjatë periudhës 2023–2025 Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës. Trupa e gjyqtarëve ka punuar me përkushtim, duke përballuar një numër rekord çështjesh, të cilat në tre vitet e fundit janë shtuar me 35-40%, duke arritur edhe deri në rreth 400 çështje të shqyrtuara në vit, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, 85-90 çështje, janë mbyllur me vendime përfundimtare. Gjykata ka vazhduar të shqyrtojë çështjet e kaluara në seancë plenare brenda një periudhe 8-mujore dhe çështjet e tjera brenda afatit ligjor 3-mujor, duke vazhduar të mos ketë çështje të prapambetura.
Me kënaqësi vërej se këto tre vite intensive kanë kontribuar në ridimensionimin e rolit dhe profilit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Versus.al

