AKTUALITET /

Përmbytjet pas çarjes së argjinaturës së lumit Seman, banorja në lot: S’di asgjë për djalin dhe bashkëshortin

Shkruar nga Versus
Përmbytjet pas çarjes së argjinaturës së lumit Seman,
Banorja e zonës

Çarja e argjinaturës së lumit Seman në disa segmente ka shkaktuar përmbytje të mëdha në fshatin Hasturkas, në njësinë administrative Libofshë, duke vënë nën ujë qindra hektarë tokë bujqësore dhe rreth 20 banesa.

Banorët, të alarmuar nga situata, kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës. Për shkak të rrezikut, 9 persona janë evakuuar dhe strehuar pranë të afërmve, ndërsa disa familjarë raportojnë humbje kontakti me të afërmit e tyre të izoluar nga uji.

“Stallën me bagëti e kam të përmbytur, kam rreth 200 dele. Nuk arritëm t’i nxirrnim, uji erdhi me forcë. Me bashkëshortin dhe djalin nuk kam asnjë kontakt dhe nuk e di në çfarë gjendjeje ndodhen. Dua vetëm të shkoj t’i shoh,” tregon mes lotësh një banore e zonës.

Banorë të tjerë shprehen se kjo është hera e parë që përballen me një përmbytje kaq të madhe. “Nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjëherë diçka e tillë këtu. Argjinaturat nuk po mirëmbahen,” thekson një prej tyre.

Situata është kritike edhe për çobanët dhe bagëtitë e mbetura të izoluara, të cilat kanë mbetur pa ushqim dhe ujë për tre ditë. “Kanë tre ditë pa ushqim dhe pa ujë. Nuk e dimë ku ndodhen dhe nuk kemi mundësi komunikimi. Kërkojmë një zgjidhje urgjente për t’i nxjerrë,” shprehet një tjetër banor.

Forcat e ushtrisë janë angazhuar në terren me varka, si në zonën e përmbytur ashtu edhe pranë stallave të bagëtive, për të evakuuar çobanët dhe shpëtuar bagëtitë e rrezikuara. Banorët fajësojnë njëzëri mungesën e masave për forcimin dhe mirëmbajtjen e argjinaturës, veçanërisht në segmentet më problematike./Versus.al

Poll