Hetimet për përplasjen me armë që tronditi qytetin e Laçit kanë zbuluar dinamika të reja që çuan në përshkallëzimin e ngjarjes.
Sipas burimeve zyrtare, gjithçka ka nisur pas një konflikti banal mes dy makinave që aksidentalisht kishin prekur pasqyrat gjatë lëvizjes në rrugë.
Në njërën makinë ndodheshin Klevis Ndreca, 28 vjeç dhe Amarildo Ndoj, 26 vjeç, ndërsa në tjetrën udhëtonin Daniel Gjeloshi, 26 vjeç, Liridon Ismailaj, 26 vjeç dhe Gerald Bitri, 24 vjeç.
Pas një debati verbal që ka zgjatur rreth pesë minuta, të rinjtë kanë rënë dakord të ndalojnë pak më tutje për të “larë hesapet”. Por sapo kanë ndaluar mjetet dhe kanë zbritur, situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Klevis Ndreca ka qenë i pari që ka hapur zjarr, duke qëlluar drejt tre të rinjve në makinën tjetër, si pasojë e së cilës mbetën të plagosur Gerald Bitri (i cili ndërroi jetë në spital), Daniel Gjeloshi dhe Liridon Ismailaj. Nga plumbat është plagosur aksidentalisht edhe Amarildo Ndoj, shoku i Ndrecës, si dhe një shitëse ambulante 58-vjeçare që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Në vendngjarje ka qëlluar edhe Daniel Gjeloshi, i cili është kundërpërgjigjur me armë, por nuk ka plagosur asnjë. Arma e tij u gjet pak metra larg vendit të përplasjes dhe iu përket atij, konfirmojnë hetuesit.
Pas ngjarjes, Klevis Ndreca është vetëdorëzuar në polici dhe ka dorëzuar edhe armën e krimit. Në dëshminë paraprake ai ka deklaruar se është ndjerë i kërcënuar dhe ka qëlluar nga frika, pasi sipas tij, ka menduar se personat në makinën tjetër ishin të armatosur dhe donin ta sulmonin.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit të përfshirë./Versus.al








