Një efektiv policie në Pikën Kufitare të Qafë Thanës është pezulluar nga detyra, pasi një qytetar publikoi në rrjetet sociale një video ku ai shfaqej duke lejuar një drejtues automjeti të shkelte rregullat, duke kaluar në krahun tjetër të rrugës për t’u afruar më shpejt te sporteli.
Lajmi u konfirmua nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, e cila deklaroi se menjëherë pas publikimit të pamjeve, drejtori i DVKM mori masën e pezullimit të menjëhershëm për punonjësin e identifikuar si inspektor R. S.
Ndaj tij ka nisur edhe një hetim disiplinor, në bazë të nenit 121 të ligjit nr. 82/2024 "Për Policinë e Shtetit", për “veprime që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë dhe institucionit në tërësi”.
Materialet i janë referuar Drejtorisë së Standardeve Profesionale për një hetim të thelluar mbi rastin.
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë i ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo paligjshmërie dhe garanton se do të ketë reagim të menjëhershëm dhe të mbështetur në ligj. /Versus.al/







