Një incident zgjedhor ka ndodhur sot në KZAZ Nr. 32 në Tiranë, ku disa vëzhgues të procesit të numërimit të votave janë përfshirë në një sherr fizik.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e qendrës së numërimit, ku vëzhguesit, të cilët përfaqësonin subjekte politike të ndryshme, janë përplasur për motive të dobëta, dhe konflikti ka degraduar në përleshje fizike.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar shtatë persona të përfshirë në ngjarje. Pas marrjes së deklaratave dhe kryerjes së veprimeve hetimore, të gjithë janë lënë të lirë.
Njoftimi:
Më datë 12.05.2025, rreth orës 20:15, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 32, pasi disa vëzhgues të procesit të numërimit (përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike) po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Në përmbushje të procedurës standarde të punës është ndërhyrë menjëherë dhe janë shoqëruar 7 shtetasit që po konfliktoheshin për motive të dobëta.
Në përfundim të marrjes së deklarimeve, 7 shtetasit janë lënë të lirë. Pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.







