Enea Tahiri dhe Besnik Shabani janë vënë në prangat e policisë pasi janë kapur duke transportuar 60 kg kanabis. Policia i ka kapur në flagrancë në aksin rrugor “Mamurras-Kashar” në automjetin që drejtonte 37-vjeçari Enea Tahiri me pasagjer Besnik Shabanin.
Pamjet filmike nga policia tregojnë 3 çanta të mëdhaja të zeza ku gjendeshin 59 pako kanabis me peshë 60 kg e 6 gramë gati për shitje. Policia ka sekuestruar mjetin dhe lëndën narkotike.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Finalizohet operacioni i koduar “Interruption 3”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.
U kapën në flagrancë duke transportuar me automjet, 59 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (rreth 60 kg), vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen pakot me lëndë narkotike dhe automjeti.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e tentativës për të shitur lëndë narkotike.
Si rezultat i operacionit të koduar “Interruption 3”, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. T., 37 vjeç dhe B. Sh., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor “Mamurras-Kashar”, në Thumanë, një automjet me të cilin dyshohej se po transportohej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin E. T. dhe pasagjer shtetasin B. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur 59 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 60 kilogramë e 6 gramë, që dyshohet se po ata po e transportonin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.







