AKTUALITET /

‘’Po u bëra unë palë, s’fitoni dot’’, rezistenca e pronarëve në Rrjoll dhe resorti i Bashkim Ulajt! Hijet e dyshimit për falsifikim dhe dhuna policore ndaj banorëve

Shkruar nga Versus
‘’Po u bëra unë palë, s’fitoni
Fotomontazh: Biznesmeni Bashkim Ulaj dhe banorë të Rrjollit në protestë

Prej më shumë se 3 javësh, banorët e Baks Rrjollit në Velipojë po protestojnë kundër resortit luksoz të planifikuar për t’u ndërtuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj në tokën për të cilën familjet pronare pretendojnë se ky projekt nuk është konsultuar me ta.

Pavarësisht kundërshtisë së fortë të banorëve, firma ‘’Gener 2’’ e Ulajt ka vijuar me punimet për resortin, ndërsa ecuria e këtyre punimeve është garantuar nga ndërhyrja e ashpër e policisë. Dhjetëra efektivë policie nga Tirana të mirëpajisur me skafandra e shkopinj gome u përplasën me banorët, mes të cilëve edhe femra e fëmijë.

Versus.al u interesua për shqetësimin e madh të banorëve të cilët pretendojnë se u janë zaptuar tokat dhe se resorti po ndërtohet pa miratimin e tyre. Njëra prej bashkëpronareve të truallit, Luçiana Kokaj në një prononcim të dhënë për Versus, shpjegoi me detaje sesi qëndron e vërteta lidhur me truallin ku Bashkim Ulaj po ndërton resortin e tij luksoz. Ajo përmendi faktin se prokuroria e Shkodrës dhe gjykata po e zvarrisin këtë çështje. Ndërsa nënvizoi se pavarësisht se kanë vendime që u njohin pronësinë e truallit konkret, gjyqtarja Vojsava Kola i ka dhënë 147 hektarë tokë shtetasit Fatmir Shpellzaj me prezumimin se nuk i pretendonte askush tjetër. Ndërkohë ndaj bashkëpronarëve nuk ishte bërë asnjë lloj njoftimi nga institucionet.

‘’Ne kemi vendime gjykate që na njihet toka. Familja ime ka në vitin 1996 vendim që na njihet toka, vendim të 2008-ës që prapë na njihet toka. Gjyqtarja Vojsava Kola, i ka dhënë këtij Fatmir Shpellzajt tokën me prezumimin se këtë tokë nuk e pretendon askush tjetër. Ndërkohë Vojsava ka patur në dorë edhe një gjyq tjetër nga banorët tonë, fisin që janë komshi me ne, të cilën e ka zvarritur ndërsa Shpezajt ia ka dhënë vendimin brenda 11 muajve.

Nuk e di sesi gjyqtarja ka arritur në përfundimin se nuk e pretendon askush tjetër se minimumi do kishim marrë vendim nga ATP dhe gjykata e Shkodrës. Si mund të thuash ti nuk e pretendon askush tjetër? Normalisht ata i kanë bërë gjyqet me dyer të mbyllura, me miq të paguar për të mbaruar punë shpejt, ndërsa neve na zvarrisin nëpër gjyqe se ne nuk i kemi lekët e Bashkim Ulajt, nuk ia dalim dot me korrupsion si ata. Nuk duam ta bëjmë se jemi në të drejtën tonë, nuk po shkoj ta blej, po shkoj në pronën time’’- u shpreh njëra prej bashkëpronareve të truallit.

Si përfundoi toka tek Bashkim Ulaj

Pretendimet e dhëna vazhdimisht nga banorët në media hedhin hijet e dyshimit për një falsifikim të dokumenteve të pronës e cila më pas është blerë nga Ulaj. Bashkëpronarja tregon sesi përcaktimi i tokës është totalisht i gabuar dhe sesi Shpellzaj mund të ketë falsifikuar vërtetimin hipotekor pasi kreu i hipotekës nuk mban mend ta ketë firmosur si dhe vula është pas vitit 2016. 

‘’Në 1946 të gjithë tokat u konfiskuan nga sistemi komunist. Ai pretendon se në vitin 1956 i është lënë një testament nga një Çole Zeneli që i kanë trashëgu pronën babait të tij dhe pastaj babai i tij ia ka lënë trashëgim. A thua se ky nuk ka as xhaxha as hallë etj,, pas 3 a 4 brezave e ka trashëguar vetëm ky tek pull pronën. Ai ka vëllezër e xhaja por nuk janë përfshirë aty. Eshtë përdor ky testamenti dhe certifikatë pronësie e familjes Jukaj i cila korrespondon me Ranën e Hedhun, nuk është fare tek ne. Nuk e di sesi ata ekspertë kanë dalë në atë përfundim se aty nuk ka pronë ai. Ka përdorur një vërtetim hipotekor të vitit 1997 që ne kemi bërë kërkesën për akt eksprtimi nga prokuroria sepse është e dukshme se është fallco dhe pulla është e mbas viteve 2000 dhe vula është pas vitit 2016 jo e ‘97-ës.

Fatmirësisht Prek Molla ka një vërtetim hipotekor të vitit 1995 dhe 1996 dhe vula ndryshon shumë. Kreu i hipotekës së Shkodrës në atë kohë, Arben Selim Kopliku ka dëshmuar në gjyq që po e mbaj mend se i kam dhënë një vërtetim hipotekor Prek Mollës sepse më ka bërë përshtypje se ishin shumë bashkëpronarë dhe e mbaj mend si rast. Ndërkohë që për ato letrat ai zotëria është i gatshëm të dëshmojë se nuk ka firmosur. Nuk e di se përse prokuroria nuk e merr këtë gjënë për ta shqyrtuar se është dokument bazë’’- shpjegoi ajo ndër të tjera.

Kërcënimet ndaj pronarëve të tokës dhe takimi me Ulajn

Përveçse presioneve që u bëhen nga policia për të ndalur protestat, Luçiana Kokaj thotë se ka patur edhe raste kur u janë bërë kërcënime të ndryshme. Madje shkoi më tej duke thënë se në zyrë vetë biznesmeni Ulaj u ka thënë se nëse ai bëhet palë në gjykatë, ata nuk e fitojnë dot çështjen.

‘’Tani më duket se ka ardhur një telefonatë kërcënuese, ta shoh pastaj se nuk jam e sigurt. Kanë filluar të na bëjnë edhe kërcënime. Nuk na trembin se jemi në të drejtën tonë.

Kur na merr policia, presion na bën, por kërcënime nuk kemi patur. Por kërcënim është kur na thonë se ti jeton jashtë shtetit dhe ne do dërgojmë letërporosi për të të ndjek. Kërcënim është ky. Kërcënim është edhe kur më thotë mua Bashkim Ulaj në zyrë se në qoftëse firmosim bashkë jap fjalën se nuk bëhem palë se po u bëra palë, ju nuk ia dilni dot’’

Heshtja e partive kryesore politike

Ashtu siç është parë në media, i vetmi deputet që është shfaqur në pronën ku prej javësh protestojnë banorët e Rrjollit, ka qenë Erald Kapri i partisë ‘’Mundësia’’. Po ashtu edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë Redi Muçi ka dalë në mbështetje të tyre para SPAK dhe gjatë fjalimit në Kuvend. Ndërsa nga dy partitë e mëdha ka patur një heshtje të paprecedentë lidhur me këtë çështje. Deputetët e PD nuk kanë reaguar duke i lënë banorët të dyshojnë se edhe ata janë bashkëpunëtorë në këtë rast.

Dhuna e policisë

Dhjetëra forca policie të mirëpërgatitura me skafandra, shkopinj gome e mburojë, ishin të pranishëm në Rrjoll ku u përplasën me banorët, duke bërë që edhe njëri prej tyre të humbte ndjenjat. Të mirëpërgatitur a thua se po përballeshin me ndonjë revoltë të armatosur dhe jo banorë që kërkojnë pronën e tyre, policët nuk kursyen veprimet e dhunshme as ndaj grave shtatzanë që ishin në protestë.

Nga ana tjetër disa prej bashkëpronarëve kanë theksuar se nuk janë kundër zhvillimit të truallit, por kërkojnë që të ketë bisedime dhe që ata të marrin atë çfarë u takon në raport me pronën e tyre dhe jo të mos përfillen duke ndërtuar pa leje në tokat që i kanë të trashëguara brez pas brezi. Versus.al

Poll