Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e koduar “Fast”, i finalizuar në Ksamil me arrestimin e Elvis Çaushllarit të shpallur në kërkim dhe të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas një pune intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin e personit të kërkuar.
Në njoftim bëhet me dije se Çaushllari u arrestuar në qendër të Ksamilit.
Policia sqaron se në momentin e ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej, por u neutralizua dhe u arrestua nga shërbimet policore.
Sipas autoriteteve, 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së, që e dënonte me 4 vite burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Policia bën me dije se të arrestuarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj e 9 ditë burgim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë
Finalizohet operacioni policor i koduar "Fast" për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fast", u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip "Audi", kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al


