Ditën e djeshme u përhap lajmi për arratisjen e radhës të Taulant Tomës, shqiptarit të cilësuar si “mjeshtri i arratisjeve”. 41 vjeçari arriti që të arratisej nga burgu i Operas në Milano, i cili konsiderohet si një prej institucioneve më të fortifikuara në Itali.
Ai konsiderohet jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe vuante një dënim për grabitje e vjedhje që ishte përcaktuar të përfundonte në vitin 2041. Italianët thonë se arratisja e ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, ishte e planifikuar me imtësi dhe e kryer me shpejtësi.
Sipas “Il Fatto Quotidiano” që shkruan se shqiptari ka vënë në lojë Evropën prej 10 vitesh, Toma preu hekurat e qelisë dhe doli jashtë duke shfrytëzuar errësirën pas mesnatës, por edhe një moment të favorshëm gjatë ndërrimit të turnit të policëve. Hetimet paraprake sugjerojnë se ai ka vepruar me profesionalizëm dhe me një njohje të qartë të pikave të dobëta të burgut.
E kaluara e tij e mbushur me grabitje, arratisje dhe dhunë
I lindur më 9 qershor 1984, Toma ka një histori të gjatë kriminale në Itali dhe Evropë. Ai është i njohur për arratisjet spektakolare, duke sfiduar në disa raste forcat e rendit. Dikur është larguar edhe nga burgu i Parmës, së bashku me bashkëkombasin Frokaj Vamenti, i cili më pas u vra gjatë një grabitjeje. Toma ka qenë gjithashtu protagonist i një arratisjeje të bujshme në Belgjikë, ku prej vitesh konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.
Episodi i vitit 2013
Një ngjarje e çuditshme ka mbetur në historikun e tij kriminal. Pas një arratisjeje nga burgu i Parmës, policia italiane e kërkoi për 40 ditë, ndërsa ai në fakt ishte arrestuar në Belgjikë më 11 shtator 2013. Lajmi u mor vesh nga prokuroria italiane vetëm më 23 tetor. Vetë prokuroria e cilësoi situatën “paradoksale” dhe kërkoi sqarime nga institucionet përkatëse.
Arratisja e fundit: Alarm në gjithë Lombardinë
Autoritetet italiane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi në gjithë rajonin e Lombardisë. Janë vendosur pika kontrolli, janë aktivizuar patrulla të shumta dhe po kontrollohen zona rurale, industriale, por edhe kufijtë e brendshëm. Frika më e madhe është se Toma mund të tentojë të largohet nga Italia ose të lidhet me grupe kriminale që operojnë në Evropën e Veriut. Versus.al


