
Prej tre javësh, banorët e Rrjoll protestojnë kundër ndërtimit të resortit “Blue Borgo” nga ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj. Protestat kanë shoqëruar përplasje të ashpra me policinë, ku një banor i moshuar ra pa ndjenja në mes të turmës gjatë përplasjes.
Sot, policia mori masa duke rrethuar zonën e ndërtimit për të mos lejuar ndërprerjen e punimeve nga banorët. Përplasjet filluan edhe me gratë e fshatit, duke rritur tensionet. Vendasit insistojnë se toka u përket atyre dhe kanë hapur procese gjyqësore për njohjen e të drejtës së pronësisë.
Dy ditë më parë, familjes Malaj iu njoh e drejta mbi një sipërfaqe prej 20,700 m² (rreth 2.1 hektarë) në Rrjoll, në një zonë kufitare me vendin ku po ndërtohet resorti. Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke pranuar pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencia e Trajtimit të Pronave, një proces që ka nisur që në vitin 2018 dhe ka zgjatur 8 vite.
Banorët shpresojnë që vendimi pozitiv për 2.1 hektarë të hapë rrugën për të ndaluar ndërtimin në pjesën tjetër të tokës, ku Bashkim Ulaj po ndërton, duke pretenduar se Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor i kadastres dhe eksponent i Partisë së Lirisë, ka falsifikuar dokumentet për pronësinë.
Punimet për resortin “Blue Borgo”, mbi një sipërfaqe prej 146 hektarësh, nisën në fillim të shkurtit pas marrjes së lejes së ndërtimit. Projekti përfshin 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo” me statusin e investitorit strategjik./Versus.al


