
Prej më shumë se tre javësh, banorët e zonës Baks Rrjoll në Shkodër, po tregojnë rezistencë duke protestuar kundër resortit turistik të biznesmenit Bashkim Ulaj, për të cilin pretendojnë se po u zapton tokat. Ditën e djeshme, gjykata e Apelit i dha të drejtë njërës prej familjeve trashëgimtare të pronës, duke qetësuar në njëfarë mënyre banorët.
Por përplasjet vijuan edhe ditën e sotme sepse fadromat e firmës “Gener 2” të biznesmenit Ulaj punonin ende. Përveç përplasjeve fizike në terren, ‘beteja’ është zhvendosur edhe në rrjete sociale.
Në “TikTok” një profil i rremë po mundohet ta paraqesë qëndresën e banorëve të Rrjollit si përpjekje për të fituar sa më shumë para nga biznesmenët që duan të ndërtojnë në këtë zonë. Ndër fotot e publikuara, një sërë prej tyresh janë për Prek Mollën, njërin prej banorëve të arrestuar i cili vazhdimisht ka ngritur zërin kundër zaptimit të tokave të tyre. Vihet re se për ta ofenduar banorin dhe protestuesit e tjerë përdoren edhe mbishkrime për besimin fetar.
Në një nga postime shihet foto e banorit Prek Molla me mbishkrimin: “Koka e bandës që vendoste gjoba biznesmenëve të Velipojës”.
Në një tjetër postim për të njëjtin person shkruhet: “Ju kerkoj falje Vellezer Musliman, hangra mut kot se mendova se po kap ndonje leke * dhe une do kthehem ne Islam [ Molla juaj ]”.
Nuk dihet se kush qëndron pas këtij profili, por duket qartë se qëllimi është të denigrojë protestën e banorëve dhe ta paraqesë atë nga një qëndresë për mbrojtjen e pronës, në tentativë për të marrë sa më shumë para nga biznesmenët. Versus.al


