AKTUALITET /

Prindër refuzojnë pensionin ushqimor të fëmijës për hakmarrje

Shkruar nga Versus

Prindër refuzojnë pensionin ushqimor të fëmijës

Shtetasja me inicialet A.LL, iu drejtua përmbarimit pasi ish partneri i saj me inicialet G.LL nuk shlyente detyrimet për pensionin ushqimor.

Pas refuzimit për të paguar në mënyrë vullnetare detyrimin për fëmijën, përmbaruesi hetoi mbi pasurinë, duke vendosur sekuestro mbi pagën e debitorit. Ekzekutimi i vendimit është bërë i mundur duke mbajtur nën sekuestro pagën e debitorit për një periudhë të gjatë kohore.

“Fëmijët janë studentë dhe detyrimi vijon edhe pas moshës 18 vjeç, nëse fëmija vazhdon shkollën deri në 25 maksimumi dhe vazhdon të derdhë detyrimin sipas vendimit të gjykatës”, u shpreh përmbaruesi gjyqësore Majlinda Vasili.

Në episodin e cituar më sipër, përmbaruesi gjyqësor ka hasur vështirësi në zbatimin e vendimit. Pengesë bëhej edhe punëdhënësi i palës debitore i cili nuk zbatonte vendimin gjyqësor për bllokimin e pagës. Çështja është shumë e vështirë në rastet kur përmbarimi nuk gjen asnjë pasuri të regjistruar, si dhe asnjë pagë të deklaruar.

“Në momentin që dikush nuk deklaron asnjëherë një punë, një rrogë, normalisht nuk ka asnjë shtëpi asnjë makinë, d.m.th. nuk ka as pasuri të luajtshme as të paluajtshme, ne herë pas here përsërisim sekuestrot dhe nëse nuk gjejmë asgjë, thjesht orientojmë palën kreditore që t’i drejtohet gjykatës me një padi për mosdhënien e mjeteve të jetesës. Mund të them që në 80% të rasteve ndodh kjo, që prindërit në momentin që ndahen, divorcohen nga njëri-tjetri nuk interesohen më për fëmijën”, u shpreh Majlinda Vasili.

“Mendoj që gjithë inati dhe mllefi realisht transferohet tek fëmijët, hakmarrja kalon tek fëmijët nuk kalon tek ish-partnerët”, u shpreh Vasili.

Shtetasi me inicialet N.Ç, refuzoi të paguajë pensionin ushqimor nënës së fëmijës së tij, shtetases me inicialet M.SH. Kjo e fundit iu drejtua përmbarimit për të kërkuar atë çka gjykata ia kishte përcaktuar si të drejtë themelore për fëmijët. Në këtë rast, u vendos sekuestro konservative për pasuritë e babait debitor. Vetëm pas këtij hapi të ndërmarrë, ai shleu të gjitha detyrimet e prapambetura.

“Vizatimet më tregojnë shpesh herë të kundërtën e asaj që thonë fëmijët me gojë dhe që mundohen të më bindin që e vërteta është e atij prindit që në zyrën e përmbarimit po sillet si më i forti dhe po shkel ligjin. Shpesh here është aleanca e pandërgjegjshme e fëmijëve për të qëndruar me më të fortin ajo që krijon si mekanizëm është fakti se nëse prindi tjetër është kaq shumë i dobët përballë këtij prindit që po më mban forcërisht unë nuk do jem i/e sigurt me këtë prind”, u shpreh psikologia Eriona Hoxha./Top Channel

Poll