
Kryeministri Edi Rama tha se pavarësisht se shumë prej provave për 21 janarin janë zhdukur, “ujku është krejtësisht i dukshëm” duke nënkuptuar ish-kryeministrin Sali Berisha i cili pak kohë më parë u mor në pyetje nga SPAK për ngjarjen e ndodhur kur ai ishte në krye të qeverisë.
“21 janari ka një specifikë. Ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgut i nënvizoi shumë qartë si shkelje ë konventës evropiane qoftë përdorimin e pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrit me forcë vdekjeprurëse”- tha Rama.
Ndërsa iu përgjigj edhe kritikave duke thënë se nuk duhet kërkuar drejtësi nga qeveria për 21 janarin, por nga SPAK-u.
“Kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 janarin, të shikojë tek stacioni i trenit dhe jo tek kjo godinë. Sepse nga kjo godinë ka dalë bërthama e reformës në drejtësi”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

