
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se gjatë protestës së zhvilluar më 10 shkurt 2026 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë dhe më pas drejt Kuvendit, disa protestues ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Gjatë tubimit u hodhën lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta.
Si rezultat i sulmeve, 16 efektivë policie pësuan dëmtime dhe morën ndihmë mjekësore në spital, por janë jashtë rrezikut për jetën. Policia sekuestruar gjithashtu 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse.
Gjatë veprimeve hetimore specialistët e Komisariatit Nr. 1 arrestuan 21 persona, përfshirë disa të mitur nën moshën 18 vjeç, për vepra të tilla si “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
14 nga të arrestuarit janë: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj.
Gjithashtu, disa persona të tjerë janë referuar në Prokurori për veprime në gjendje të lirë, ndërsa një person është shpallur në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.
Po ashtu janë vënë nën hetim 5 anëtarë të PD, sekretari organizativ Ervin Minarolli dhe 4 deputetë: Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Luçiano Boçi.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi tubimin e zhvilluar më datë 10.02.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Ç., 36 vjeç; K. B., 24 vjeç; L. T., 21 vjeç; K. S., 26 vjeç; Xh. V., 18 vjeç; R. N., 28 vjeç; S. D., 48 vjeçe, F. N., 32 vjeç; A. K., 24 vjeç; F. A., 22 vjeç; G. D., 21 vjeç; D. K., 27 vjeç; J. K., 18 vjeç; A. K., 20 vjeç; O. H., 18 vjeç; S. P., 18 vjeç; A. U., 24 vjeç, dhe katër shtetas 17 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë shtetasin E. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-u shpall në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç. Po punohet për kapjen e tij.
Pasditen e djeshme, protestuesit janë mbledhur fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit, kanë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotov ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, që janë gjetur nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al


