Si pasojë e punimeve për riparimin e disa gropave në rrugën Tiranë-Durrës, të gjitha rrugët dytësore që të nxjerrin nga Tirana kanë qenë të paralizuara totalisht.
Pavarësisht se drejtuesit e mjeteve zgjodhën të hynin në rrugë dytësore për të shmangur në njëfarë mënyrë trafikun kilometrik, ata mbetën për orë të tëra në pritje me radhë makinash që i kalonin 16 kilometra.
Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit-Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje 2 ditore.
Qytetarët raportuan se pavarësisht radhëve të gjata në trafik, nuk pati prezencë të shtuar të policisë për të rregulluar qarkullimin. Ndërsa policia ka reaguar me anë të një njoftimi ku bën thirrje për durim dhe respektim të rregullave të qarkullimit.
“Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.
Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje.“-njofton policia. Versus.al







