Detaje të reja janë zbuluar nga kontrollet që agjentët e BKH ushtruan mbrëmë në Palasë me urdhër të SPAK lidhur me hetimet për grupin kriminal të AKSHI-t. Burime të besueshme kanë konfirmuar për mediat se pjesë e kontrolleve ka qenë një vilë në Palasë e cila zotërohet nga ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Për këtë të fundit, kryeministri Edi Rama ka folur disa herë duke i dalë në mbrojtje me argumentin se Karçanaj jeton në një apartament me qira në Tiranë. Mësohet se janë kryer kontrolle edhe në banesën e nënës së Karçanajt në Tiranë.
Nga ana tjetër, SPAK tregohet i rezervuar për të dhënë informacione lidhur me materialet e sekuestruara, por mësohet se bëhet fjalë për pajisje dhe dokumentacione në vilën e Karçanajt dhe biznesmenit të shpallur në kërkim Ergys Agasi i cili kishte dy vila në të njëjtën zonë. Versus.al


