
Lezhë- Reshjet e shiut kanë përmbytur disa lagje të qytetit gjatë mesnatës. Në lagjet “11 janari” dhe “Besëlidhja” sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë prurjet e mëdha të reshjeve të shiut duke shkaktuar përmbytje në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.
Mësohet se niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Gjithashtu edhe në disa segmente të aksit Lezhë-Shëngjin ka patur përmbytje. Në pjesën më të madhe të territorit të qarkut raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet përkatëse po punojnë për normalizimin e situatës. Versus.al

