
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës gjyqësore lidhur me masën e sigurimit “arrest në burg”, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës penale.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, bëri me dije se seanca do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë është publike dhe fokusohet te unifikimi i praktikës gjyqësore, ndërsa faza e dytë, që lidhet me çështjen penale të shtetasit Begtash Zeneli dhe hetimet ndaj tij, do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.
Gjatë seancës, prokurori Arqile Koça kërkoi që pjesa që lidhet me çështjen konkrete të zhvillohej me dyer të mbyllura, kërkesë e cila u mbështet edhe nga avokati mbrojtës Luan Hasnëziri.
Relatori i parë, Ilir Panda, paraqiti rrethanat e çështjes, duke sqaruar se në tetor 2025 policia e Lezhës ka ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit, ku është gjetur një sasi lënde narkotike. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg”, kërkesë e pranuar nga Gjykata e Lezhës, ndërsa Gjykata e Apelit ka vendosur më pas masën “arrest në shtëpi”.
Ai theksoi gjithashtu se vendimi unifikues i vitit 2011 është zbatuar deri më tani në praktikën gjyqësore, por aktualisht po shqyrtohet mundësia e rishikimit të këtij standardi, sidomos për kriteret e caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, raportin me rrezikshmërinë e veprës dhe marzhin e dënimit.
Në përfundim të seancës, Kolegjet e Bashkuara u tërhoqën për marrjen e vendimit, i cili pritet të ndikojë në mënyrën e zbatimit të masave të sigurimit në sistemin gjyqësor shqiptar./Versus.al


